Policia në dy raste konfiskon më shumë se 13 kg drogë

Prishtinë | 12 Maj 2017 | 12:16 | Nga

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DhTN) me njësitet e saja relevante, me datën 11 maj 2017, ka realizuar një operacion policor në dy lokacione të ndara, i cili ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e mbi 13 kilogramë substancë narkotike si dhe me arrestimin e 3 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale “blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Në rastin e parë, Policia njofton se pas një hetimi të realizuar nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë dhe në asistencë të NJRSh-Prishtinë, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë janë bastisur dy lokacione në Prishtinë, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe janë konfiskuar gjithsej 4 054.8 gramë (4 kg e 54.8 gr.), 4 telefona dhe 113.30 euro, të cilat dëshmi janë fotografuar dhe janë evidentuar nga Krimteknika.

Me këtë rast është bërë arrestimi i tre personave të dyshuar të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Personat e arrestuar në këtë rast janë:

• S. S. lindur me 1973 f/sh/k

• B. H. lindur me 2001 m/sh/k

• O. S. lindur me 1999 m/sh/k

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes.

Ndërsa në rastin e dytë DhTN-ja, pas marrjes së informatave se një person merrej me shitblerje të narkotikëve, me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtinë, kanë bërë kontrollimin e një shtëpie në Prishtinë, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe kanë konfiskuar 11 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 9 374.1 gramë (9kg e 374.1 gr.).

Identiteti i personit të dyshuar është i njohur për Policinë dhe njësitë relevante policore janë në kërkim dhe hetim të mëtutjeshëm të rastit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme