Në zbatim të vendimit të fundit të Qeverisë për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19, ekipe të përbashkëta të policisë kanë shtuar aktivitetet e tyre në rajonin e Ferizajt.
Sipas policisë në Ferizaj, në kuadër të këtyre aktiviteteve, sot nga ora 08:00-16:00, përveç 40 vërejtjeve policore, policia ka shqiptuar 98 gjoba, ndaj qytetarëve të cilët nuk i kanë respektuar masat si në vendim.
“Këto masa, në masë të madhe janë duke u respektuar nga shumica e qytetarëve, të cilët edhe i falënderojmë, por janë hasur edhe persona të cilët nuk i kanë përfillur të njëjtat dhe ndaj tyre policia ka qenë e detyruar tu shqiptojë gjoba. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, në parandalim dhe respektim të masave Anti Covid-19, sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës . Apelojmë tek qytetarët dhe pronarët e lokaleve, që ti respektojnë masat e parapara ligjore me qëllim të ruajtjes së shëndetit të tyre dhe shëndetit publik”, thuhet nga policia në Ferizaj.
Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, fton qyetetarët që të bashkëpunojnë me policinë dhe nëse kanë informacione se persona, apo që në vende të caktuara nuk respektohen masat Anti-Covid-19, të lajmërojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdetarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406, dhe policia do të marrë të gjitha masat e nevojshme , sipas ligjit antiCovid-19.