Policia në zyrat e mediave, Osmani refuzon të përgjigjet për këtë çështje

Prishtinë | 18 Pri 2021 | 11:08 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë bërë sot homazhe në kompleksin memorial në fshatin Makoc të Prishtinës, për të kujtuar dëshmorët në 22-vjetorine rënies, raporton Express

Gazetarët që ishin prezentë në këto homazhe, tentuan të marrin një qëndrim nga Presidentja, lidhur me zhvillimet e fundit rreth intervistimit të gazetarëve të gazetës Insajderi, pas publikimit të lajmit se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk ka nënshkruar kontratën për furnizimin me vaksinat anti-Covid.

Kjo, pasi osmani nuk ka thënë deri më tani asnjë fjalë për krejt këto zhvillime.

“Zonja Osmani, desha me ju pyet diçka, a është e drejtë që prokuroria dhe policia…”, ishte pyetja që një prej gazetarëve tentoi të ia bënte Osmanit.

Por, Osmani reagoi menjëherë, duke thënë se në ditët kur kujtohen dëshmorët, nuk mund të flitet për asnjë çështje tjetër.

“Të lutem, kur jemi duke i nderuar martirët dhe dëshmorët, nuk mund të kemi mirëkuptim për asnjë çështje tjetër, ju lus që t’i drejtoheni zyrës sonë, në mënyrë që çdo temë tjetër ta trajtojmë atje, pra këtu jemi për t’i nderuar dëshmorët dhe martirët”, ka deklaruar Osmani.

Ndryshe, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” — Ky ishte autorizimi i Prokurorisë së Shtetit për Policinë e Kosovës që të drejtohet për në zyrat e Insajderit, sepse kjo gazetë publikoi një hulumtim që ministrit Vitia nuk i pëlqeu. Veprimi i policisë u cilësua si cenim i lirisë së medieve.

Reagimet ndaj kësaj shkelje bënë që fjala e lirë të fitoi kundër, siç është quajtur sot, shtetit policor.

Vitia thirri konferencë për media pak kohë pas publikimit të hulumtimit në media. E në konferencë pretendoi të kundërtën, mirëpo Vitia gjithashtu bëri thirrje që Prokuroria të hetojë këtë rast. Pas futjes së policisë në zyrat e Insajderit, drejtori Parim Olluri u thirr që të intervistohet.

Ky veprim i policisë u pa si kërcënim ndaj mediave dhe fjalës së lirë në përgjithësi. E pasi filluan reagimet, Prokuroria tha se hetimet po bëhen ndaj zyrtarëve, e jo ndaj zyrtarëve dhe mediave.

Të ngjashme