Policia e Kosovës njofton se ka nisur zbatimin e planit operativ “Tejkalimet në vende të ndaluara””, ku përfshihen tejkalimet në vijë të plotë, tejkalimet e kolonës së mjeteve, tejkalimet në kthesa etj.
Policia thotë se ka ndërmarrë këto masa duke marrë parasysh se një numër i madh i aksidenteve të rënda rrugore të shkaktuara nga faktori njeri është si shkak i shpejtësisë së lëvizjes dhe sidomos tejkalimeve në vende të ndaluara.
“Duke u bazuar në situatën në terren ka qenë e nevojshme marrja e masave konkrete”.
“Ngritja e nivelit të sigurisë rrugore është prioritet i njësive të trafikut rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve, në veçanti atyre me pasoja të rënda. Andaj, njësitë e trafikut përveç aktiviteteve parandaluese, planeve operative të dala nga plani vjetor i punës, përpilojnë edhe plane tjera shtesë duke u bazuar në situatën në terren”, theksohet në njoftimin e policisë.
PK paralajmëron se do të vazhdojë me masa konkrete ndaj atyre shoferëve të cilët me veprimet e tyre kryejnë kundërvajtje të tilla dhe rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik. Policia i fton të gjithë pjesëmarrësit në trafik të dëshmojnë kulturën e tyre në respektimin e rregullave dhe shenjave të trafikut rrugor.