Policia nuk lejon mbajtjen e protestës nga banorët e fshatrave në karantinë

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 07:28 | Nga Ekonomia Online

Disa banorë të fshatit Dumnicë e Poshtme të Podujevës janë tubuar pasditen e së hënës për të protestuar për të tretën herë me radhë kundër masës së karantinimit. Protesta ishte paralajmëruar të fillonte në orën 15:00, por kjo është pamundësuar nga intervenimi i policisë.

Banorët e këtij fshati janë në karantinë qe tri javë, prej paraqitjes së rastit të parë me COVID-19 në fshatin fqinj, Dumnicë e Epërme. Ata janë kundër vazhdimit të kësaj mase edhe për Dumnicën e Poshtme, pasi, sipas tyre, rasti ka ndodhur në Dumnicë të Epërme dhe se ka tri javë që nuk ka pasur rast të ri me koronavirus në këtë pjesë, raporton KOHA.

“Qe tri javë ditë na kanë shti në karantinë, 4 kilometra e kemi larg prej këtu (Dumnicën e Epërme v.j.)… për një shpi na kanë bllokua, na duhet me punua. Nuk mundemi me nejt kështu të bllokum, as Komunës nuk i intereson, kështu është katastrofë. Sot është e treta herë që kemi dalë me protestu, po sot nuk na lanë, thanë jo se vijnë Njësia Speciale. Na 4-5 km e kemi larg atë që u infektua prej koronës, me marrë masa edhe Komuna e mos me na lanë kështu mshelë. Unë punoj, po qe 3 javë nuk kam shku, veç me hi arave e dëmton kerrin”, ka thënë Eduard Abdullahu nga fshati Dumnicë e Poshtme, që kishte dalë të protestonte këtë të hënë.

Shpëtim Sadriu nga i njëjti fshat ka thënë se të hënën policia ka shkuar nëpër shtëpi për t’iu kërkuar që të mos dalin në protestë.

“Arsyeja që jemi dalë është se policia sot ka ardhë nëpër shpia kush u kanë atë ditë në protestë janë ardhë nëpër shpia edhe iu kanë thanë mos dilni me protestua se do të vijnë Njësia Speciale. Na nuk jemi të pajtimit se këtu jemi katër fshatra, Dumnicë e Poshtme, Dumnicë e Epërme edhe dy Llaushat, në fshatin Bradash e kanë izoluar vetëm një shpi e këtu 4 fshatra. Kemi bisedua edhe me të Komunës, thanë që e hjekim po nuk e hoqën. Policia nuk na lanë me protestu, thanë s’ka nevojë me dalë”, është shprehur Sadriu.

Të ngjashme