Policia e Kosovës ka organizuar, me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, një aktivitet miqësor për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi të drejtat dhe detyrimet në fushën e sigurisë.
Aktiviteti i mbajtur në sheshin “Skënderbeu” mblodhi fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët patën mundësi që të njoftohen më shumë lidhur me veprimtarinë e Policisë së Kosovës si dhe të kalojnë kohë me zyrtarët e PK-së, raporton Ekonomia Online.
Fëmijët së bashku me njësite të ndryshme të Policisë kanë defiluar gjithashtu në sheshin “Skenderbeu”.
Këtyre fëmijëve iu shpërndanë edhe broshura të ndryshme vetëdijesuese dhe revista policore “Mbrojtësi”.
Me këtë rast policia ka ftuar mediet, fëmijët, prindërit dhe qytetarët në përgjithësi t’i bashkëngjiten këtij aktiviteti policor, të bashkëbisedojnë me zyrtarët policorë dhe së bashku të festojmë 10-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.