Policia pa kontratë valide për sigurimin e automjeteve

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Sikurse herën e kaluar, Policisë së Kosovës përsëri i janë shfaqur telashe që të lidhë një kontratë për sigurimin e automjeteve.

Nëse i shfaqet nevoja, Policia e Kosovës nuk do të mund të sigurojë automjetet e saj edhe për një kohë. Dy kontratat valide që ka pasur ky institucion për sigurimin e automjeteve kanë skaduar, shkruan lajmi.net.

Njëra kontratë ka skaduar më datë 5 janar të këtij vitit dhe tjetra më 30 dhjetor 2020.

Zyra e prokurimit po ka telashe që të lidhë kontratë të re ngase kompanitë garuese po ofertojnë më çmime shumë ta larta.

Lajmi.net para pak ditëve ka pranuar disa informata të pakonfirmuara se policia po patrullon më automjete që u ka skaduar sigurimi. Lidhur më këtë redaksia ka kërkuar sqarime nga policia e Kosovës. Por, këtë informatë e ka hedhur poshtë zyra për informim e policisë së Kosovës.

“Duke iu referuar shkresës së mëposhtme, ju informojmë se Policia e Kosovës aktualisht ka kontratë valide për sigurimin e automjeteve dhe të gjitha automjetet janë të siguruara. Procedurat tenderuese për lidhje të kontratës i kemi iniciuar më herët, në mënyrë që mos të mbetemi pa kontratë”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të PK-së dhënë për lajmi.net më 5 janar.

Megjithëkëtë faktet e tregojnë të kundërtën, sa i përket validitetit të kontratës. Sipas dokumenteve të publikuar në ueb-faqen e KRPP-së që i ka parë lajmi.net, policia e Kosovës dhe kompania “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SH.A –Dega, në Kosovë, kanë lidhur kontratë në dhjetorë të vitit 2019 për “Shërbimet e sigurimit të automjeteve TPL, TPL Plus dhe Kasko –Ritender”. Konkretisht drejtori i Policisë së Kosovës e kishte vënë firmën në kontratë më 23 dhjetor, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme më 31 dhjetor. Më datë 6 janar 2020, ishte nënshkruar përfaqësuesi i kompanisë fituese. Në këtë dokument thuhet se kontrata ka valideitet nga data e nënshkrimit të saj e deri më 5 janar 2021. Vlera e kontratës ka qenë 210, 640 euro.

Totali i sigurimit TPL ka qenë 142, 399. 39 euro, TPL Plus 1, 478.29, sigurimi kasko 66, 761.50 euro.

Në këtë kontratë hynin sigurimet për automjetet për pasagjerë 813 copë, automjetet kargo-kamionët 50 copë, autobusët ndërurban 25 copë, motoçikleta 31 copë, rimorkiot 8 copë.

Po në fund të dhjetorit 2019-të, policia dhe kompania “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” kishin lidhur një tjetër kontratë “Sigurimi TPL i automjeteve”. Vlera e kontratës ka qenë 66, 906.00 euro dhe ishte e paraparë për sigurimin TPL të 270 automjeteve për pasagjerë. Kjo kontratë ka skaduar më 30 dhjetor 2020.

Derisa dy kontratat kanë skaduar, nuk dihet nëse policia është duke dalë në terën më automjete që u ka skaduar sigurimi, por ajo që dihet është se nëse atyre u skadon sigurimi nuk do të mund t’i sigurojë edhe për një kohë.

Madje, mbi bazën e ecurisë, si është duke shkuar procesi më procedurat tenderuese nuk dihet se kur të mund të ketë kontratë të re.

Më datën 1 janar 2021, policia ka hapur tender të ri më procedurë të hapur, me afat 1 vjeçar ku vlera e parashikuar e kontratës është 545 692,48 euro. Afati i fundit për pranimin e tenderëve është vendosur data 21 janar 2021. Kjo është iniciativa e tretë e këtij institucioni që po orvatet të lidhë një kontratë të re për këtë punë, ngase dy herët e para ka dështuar kryesisht për shkak që kompanitë kanë pasur oferta shumë të larta, kundrejt çmimit të vendosur nga PK-ja.

Ndryshe nga kontrata e kaluar, policia ka paraparë sigurimin e më shumë veturave, të cilat me gjasë janë në parkingun e policisë, meqë janë të pasiguruara. Në mesin e tyre edhe 13 autoblinda.

Fillimisht, më datën 23 shtatorë 2020, prokurimi i PK-së ka bërë njoftim për kontratë më procedurë të hapur për sigurimin e automjeteve. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 449 975,16 euro. Më datën 3 nëntor i ka hapur ofertat dhe pas një javë e ka anuluar në tersi aktivitetin e prokurimit më arsyetimin se: “Policia e Kosovës e anulon aktivitetin e prokurimit me arsyetimin se të gjitha ofertat e përgjegjshme përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për këtë aktivitet të prokurimit”.

Ndërkohë, më datën 30 nëntor 2020, PK-ja kishte hapur përsëri oferte publike për sigurimin e veturave. Më datë 30 dhjetor, prokurimi i këtij institucioni e ka bërë njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit me arsyetimin se nuk ka oferta të përgjegjshme. Dy kompani i ka eliminuar me arsyetimin se e kanë tejkaluar buxhetin e parashikuar për këtë prokurim, ndërsa një kompani më arsyetimin se ka qenë e pa përgjegjshme.

Edhe herën e kaluar, para se të lidheshin kontratat që kanë skaduar, PK-ja kishte dështuar në disa iniciativa që të lidhë kontratë për sigurimin e automjeteve. /Lajmi.net/

Të ngjashme