Policët e Kosovës janë pajisur me 250 kamera të trupit e 113 të instaluara në vetura, falë një projekti të përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Një pjesë e këtyre kamerave, të cilat i ka pranuar Policia e Kosovës, do të shpërndahen edhe në veri të vendit. Kështu ka thënë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ai pohoi se kamerat do ta rrisin besueshmërinë e qytetarëve ndaj Policisë. Hoxha ka treguar se kamerat e trupit, do të përdoren edhe nga njësitet e trafikut dhe ato kufitare.
“Ne si polici mundohemi që detyrat t’i kryejmë me nder dhe respekt. Jemi organizatë e ndërtuar në parime të larta demokratike. Do të ndikojnë në rritjen e besimit te qytetarëve tanë te Policia e Kosovës”.
“Këto do të përdoren edhe si dëshmi për shkelje, kundërvajtje të caktuara në rrugë. Këto kamera do të përdoren nga njësitet tona të trafikut dhe ato kufitare. Një pjesë e tyre do të shpërndahen edhe në veri”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se donacioni është dëshmi e mbështetjes së Policisë së Kosovës. Hovenier shtoi se kamerat do ta përmirësojnë llogaridhënien e policëve dhe do të dëshmojnë me paanshmëri për rastet.
Ai u shpreh krenar që ShBA-ja e jep këtë donacion që shënon programin e parë të kamerave të trupit në Kosovë.
“Këto kamera kanë rëndësi jetike për sigurinë në Kosovë. Ajo që ShBA-ja dëshiron të shohin është që të zë vendin e saj ku i takon. Edhe ne në ShBA kemi sfidat tona sa i përket llogaridhënies policore, dhe megjithëse nuk jemi të përsosur ne kemi arritur të përmirësojmë komunitetin përmes mbikëqyrjes”.
“Kamerat e trupit tashmë janë një pjesë standarde e pjesës së një polici sepse i bëjnë rrugët më të sigurta. Ky donacion është një dëshmi e mbështetjes ndaj policisë së Kosovës. 250 kamera të trupit do të barten nga policët dhe 113 sistem kamerash në vetura që do të përdoren nga Policia në trafik dhe ajo doganore“.
Me këtë u bë publikimi i një video-sekuence të përdorimit të kamerave nga zyrtarët policorë, si dhe ekspozimi dhe demonstrimi i përdorimit të kamerave të trupit.