Policia e Kosovës thotë se do ta mbështesë aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, duke ofruar siguri të plotë për të gjithë aktorët e përfshirë në këtë aktivitet të rëndësishëm.
“Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, vlerson se ky aksion për pastrimin e ambientin që na rrethon të gjithëve është mjaft i rëndësishëm dhe ofron mbështetje për të gjithë qytetarët, subjektet tjera dhe institucionet e vendit në aspektin e sigurisë dhe qarkullimit pa pengesa gjatë realizimit të këtij aksioni”, thuhet në një komunikatë shtypi të PK-së.
Me fillimin e aktiviteteve që nga dita e nesërme në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”, ku krahas institucioneve dhe agjencive shtetërore, pritet të angazhohet edhe një numër i madh qytetarësh vullnetarë, si dhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, nga Policia e Kosovës kërkohet që të angazhojë zyrtarë policorë për ofrimin e sigurisë edhe të këtyre vullnetarëve. “Sidomos gjatë pastrimit të brezit të rrugës ku ka qarkullim të vazhdueshëm, janë ndërmarr veprime të nevojshme operacionale pë mbështetjen e këtyre aktiviteteve në aspektin e sigurisë dhe garantimit të qarkullimit të lirë dhe pa pengesa”.
Policia e Kosovës bën të ditur se në nivel të drejtorive rajonale do të angazhojë patrulla/njësi për përcjelljen e makinerive të rënda dhe automjeteve transportuese sipas kërkesave nga kompetentët, nga një deponi në tjetrën apo nga një qytet në tjetrin sipas nevojës.
“Duke mbështetur fuqishëm aksionin për një ambient më të pastër dhe e gatshme për ofrimin e kapaciteteve të saj në mbarvajtjen e këtij aksioni, Policia e Kosovës inkurajon të gjithë që pastrimi dhe ruajtja e ambientit të mbetet prioritet në vazhdimësi, pasi që është edhe obligim ligjor i secilit nga ne”, thekson Zyra për Informim e PK-së.