Policia pranon një letër, dyshohet se është i njërit prej autorëve për vrasjen e boksierit Besar Nimani

Prishtinë | 19 Mar 2024 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Policia gjermane raportohet se e posedon një letër (email), ku thuhet se është tregimi i njërit prej të dyshuarve për vrasjen e boksierit nga Kosova, Besar Nimani.

Sipas gazetës Westfalen-Blatt, thuhet se Ayman Krit, e pranon vrasjen e 33-vjeçarit.

Me këtë rast, hetuesit që po punojnë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë e kanë këtë email.

Por, ende nuk dihet nëse kjo letër e njërit prej atentatorëve, është autentike.

“E rreme apo e vërtetë? Doli letra e rrëfimit për vrasjen e Besar Nimanit”, është titulli i Westfalen-Blatt.

Në mbrëmjen e 9 marsit, boksieri profesionist nga Kosova Besar Nimani, u vra në Bielefeld të Gjermanisë.

Sipas dëshmitarëve okularë, një grup burrash i janë afruar viktimës përpara ta qëllonin.

Nimani vdiq në vendin e ngjarjes nga plagët e marra.

Dy nga të dyshuarit janë ende në arrati, derisa njëri nga ta u dorëzua në polici.

Dëshmitarët i thanë Radio Bielefeld se ishin në një kafene në Obernstrasse përpara se të kryenin krimin, ndërkohë që viktima kishte dalë nga një parkueri kur u qëllua.

38-vjeçari edhe në vitin 2013 ishte viktimë e një sulmi të tillë, në atë kohë ai u qëllua në një qebaptore në kryqëzimin e Feilenstrasse dhe Bahnhofstrasse.

Ai kishte marrë plagë në kofshë dhe gju.

Nimani ishte me origjinë kosovare-shqiptare, në vitin 1997 ai u zhvendos në Bielefeld.

Boksieri fitoi titullin evropian në peshën e mesme të lehtë dhe humbi vetëm një herë në karrierën e tij profesionale.

Dy ditë pas vrasjes së boksierit nga Kosova, janë publikuar edhe fotot e dy autorëve të dyshuar.

Mediat raportojnë se bëhet fjalë për shtetasit Ayman Dawoud Kirit dhe Hüseyin Akkurt.

Me këtë rast, policia dhe prokuroria gjermane ka kërkuar ndihmë nga ana e qytetarëve për gjetjen e tyre.

“Ayman Dawoud Kirit dhe Hüseyin Akkurt dyshohet se kanë qëlluar në rrugë një 38-vjeçar nga Bielefeld të shtunën, 9 mars 2024”, thuhet në raportin e përbashkët të policisë dhe prokurorisë gjermane.

Besar Nimani u varros të enjten e kaluar më 14 mars në Bielefeld të Gjermanisë.

Të ngjashme