Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Durrësit, janë publikuar emrat e 9 personave të arrestuar në këtë qytet në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për tërmetin e 26 Nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tjerë.
Në mesin e tyre ka zyrtarë dhe ndërtues, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre, vrasje me dashje, vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe falsifikim dokumentesh.
Të arrestuarit janë:
-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
–Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.
-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
–Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
–Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
–Dëfrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.
– Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshaur si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Drejtori i Policisë së Durrësit, Lorenc Shehu, deklaroi gjithashtu se 8 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi ndodhen jashtë vendit. Ata janë larguar nga Shqipëria në momentin që ka rënë tërmeti. Megjithatë, Shehu sqaroi se nuk bëhet fjalë për dekonspirim të hetimeve.
“Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti”, u shpreh drejtori i Policisë së Durrësit.
Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Durrësit ka lëshuar deri më tani 17 urdhër-ndalime.