E.K., nga komuna e Gjilanit, i ka thënë gazetës “Zëri” se për shkak të një tatuazhi nuk ka mundur ta dorëzojë dokumentacionin në konkursin e shpallur nga Policia e Kosovës për pranimin e pjesëtarëve të rinj, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Për shkak të një tatuazhi në një pjesë të trupit E.K., nga komuna e Gjilanit, nuk ka mundur ta dorëzojë dokumentacionin në konkursin e shpallur nga Policia e Kosovës (PK) për pranimin e pjesëtarëve të rinj.
“Të hënën kam shkuar ta dorëzoj dokumentacionin në Qendrën Policore në Gjilan, por ma kanë refuzuar për shkak të një tatuazhi të vogël që kam në trup. Zyrtari që po merrej me pranimin e dokumenteve të kandidatëve më ka pyetur nëse kam tatuazh dhe pasi e pohova një gjë të tillë, ai më tha se nuk më pranohen dokumentet”, ka thënë për gazetën “Zëri” E.K., emër i njohur për redaksinë.
Ai i vlerëson si të padrejta kriteret e tilla të Policisë së Kosovës, pasi njeh shumë pjesëtarë të Policisë që kanë tatuazhe.
“Kam menduar që është vetëm kriter formal, duke shtuar edhe faktin që tatuazhi im nuk gjendet në pjesë të dukshme të trupit. Kam bërë edhe ankesë pasi ky kriter nuk ka qenë në vitet e kaluara, pse duhet të shtohet tani?”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.
Policia: Kriteret parashihen me ligj
Por zyrtarë të Policisë së Kosovës, të pyetur për këto kritere, kanë deklaruar për “Zërin” se konkursi është i bazuar në legjislacion.