Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, njëherësh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, Hivzi Islami, sot, në vendkalimin kufitar Muçibabë/Buhiq nuk është lejuar nga policia kufitare e Serbisë të shkojë në Preshevë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës e vlerëson si të ulët, të papërgjegjshëm dhe të papranueshëm veprimin e autoriteteve serbe për moslejimin e ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtarit të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve, z. Hivzi Islami, që të vizitojë familjarët e tij në Preshevë.
Sjelljet e tilla të ndarjes nga pjesa tjetër e familjes e Akademik Islamit thjeshtë ri-ngjallin kujtimet trishtuese nga e kaluara e errët historike e politikave të fqinjit tonë verior –Serbisë dhe forcojnë bindjen për mungesë të dukshme vullneti politik për zbatimin e Marrëveshjeve të arritura në mes dy shteteve në Bruksel dhe përkushtimit të shprehur institucional për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve tona.
Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se veprimi i sotshëm i Institucioneve të Serbisë është në kundërshtim me çdo vlerë njerëzore dhe shkelje e rëndë e Lirisë së Lëvizjes, si parim themelor Evropian.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do ta adresojë këtë çështjen nëpërmjet kanaleve diplomatike tek përfaqësuesit e BE-së dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtarë dhe do të kërkojnë me ngulm mos-përsëritjen e rasteve të tilla.