Gjatë ditës së sotme është vërejtur prani e shtuar e policisë në rrugët e Kosovës. E gjithë kjo prani e policisë në ditën e festës së Fitër Bajramit po bëhet sipas një plani të gatishmërisë dhe reagimit kundër koronavirusit të ri COVID-19.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka konfirmuar se ka hartuar një plan operativ policor e që ka për qëllim respektimin e vendimeve të institucioneve të Kosovës ndaj pandemisë.
“Policia e Kosovës, referuar vendimeve të institucioneve të Kosovës, si dhe referuar planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër koronavirusit të ri COVID-19, ka hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur ‘UO për gatishmëri dhe reagim për koronavirus-in COVID-19’” ka thënë Hoxha.
Ndryshe, qytetarët, përveç pranisë së shtuar të policisë në rrugë, sot kanë raportuar edhe për kontrolle më të rrepta, e cila duket se po bëhet në ditën e festës së Fitër Bajramit, për t’i respektuar thirrjet e institucioneve shëndetësore për të mos vizituar të afërmit siç bëhet zakonisht për këtë festë.