Policia e Kosovës, ka njoftuar se aktivistët e PSD-së, janë paralajmëruar që aksioni i tyre para objektit të Policisë është i palejuar, ata kanë vazhduar me agresivitet.
Sipas komunikatës së Policisë, pas shpërfilljes së urdhrave nga protestuesit, policia ka reaguar.
Komunikata e plotë e Policisë:
Sot rreth orës 13:00 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar për shkrimin e grafitevë në sipërfaqen murale të stacionit policor Qendra.
Përkundër faktit që këta persona paraprakisht janë këshilluar nga policia për veprimet e tilla të palejuara, të njëjtit duke shfaqur vazhdimisht shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, kanë arritur të dëmtojnë muralet e stacionit policor me grafitet e tyre të vendosura aty.
Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor 16 prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare.
Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinohen për veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë.