Policia thotë se gjatë protestës u lënduan 5 pjesëtarë të saj

Prishtinë | 15 Shk 2017 | 13:05 | Nga

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth protestës së studentëve para Rektoratit të UP-së.

Në njoftimin e policisë thuhet se nga përleshja me studentët kanë mbetur të lënduar 5 pjesëtarë të policisë, ndërsa janë shoqëruar për në stacionin policor 10 protestues.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Policia e Kosovës në funksion të ushtrimit të autorizimeve të saj që konsistojnë në garantimin e rendit dhe të sigurisë publike për komunitetin si dhe mbështetjen e institucioneve në realizimin e aktiviteteve të tyre, sot me kërkesën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ka bërë sigurimin e perimetrit të jashtëm të objektit të Rektoratit të UP-së, përderisa aty po mbahej ceremonia e shënimit të përvjetorit të 47-të, të themelimit të këtij Universiteti.

Ndërkohë që ceremonia po mbahej, individ të caktuar të infiltruar brenda në forma të ndryshme, kanë provuar të pengojnë mbarëvajtjen e ceremonisë.

Të njëjtit janë nxjerrë jashtë nga sigurimi i brendshëm i Rektoratit të UP-së.

Pas nxjerrjes së tyre jashtë objektit ata janë bashkuar me grupin tjetër të personave të cilët përkundër thirrjeve dhe paralajmërimit të policisë nuk kanë përfillur zyrtarët policor dhe njëkohësisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit si dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë penguar zyrtarët policor që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre.

Në një situatë të tillë me qëllim të neutralizimit të veprimeve të dhunshme, policia ka bërë një reagim duarthatë, deri në momentin kur agresiviteti ka qenë shumë i shprehur me ç’ rast është bërë i domosdoshëm aplikimi i mjeteve ndërmjetëse.

Për rrjedhojë nga kjo situatë pesë policë kanë mbetur të lënduar, dhe të njëjtit kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Dhjetë persona janë shoqëruar në stacionin policor, ndërkaq policia bashkërisht me prokurorin e shtetit, janë në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe procedurale me qëllim të trajtimit të rrethanave të kësaj ngjarje.

Të ngjashme