Gjatë ditës së djeshme, ka qarkulluar lajmi se Policia e Kosovës ka marrë një paralajmërim që në Kosovë mund të ketë sulme terroriste.
Kjo gjë ka bërë të dyshohet nëse do të anulohet koncerti i këngëtares Kida, që është paralajmëruar të mbahet nesër në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë.
Duke qenë se aty mund të mblidhet një numër i madh i njerëzve dhe duke qenë se po flitet për sulme të mundshme terroriste, atëherë është vënë në pikëpyetje mbajtja e këtij koncerti.
Lajmi.net ka kontaktuar me zëdhënësin e policisë, Baki Kelani i cili ka thënë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës apo nga organizatorët që të merren masa mbrojtëse.
“Nuk kemi akoma ndonjë dokument që kërkohet që në këtë koncert të ketë masa mbrojtëse nga Policia. Këtë gjë nuk e ka bërë as Komuna e sa nga organizatorët” ka thënë ai.
Lajmi.net po ashtu ka kontaktuar me njërin nga organizatorët e këtij koncerti, përfaqësuesin e ‘Zero Pozitive Public’, Beni Dobroshin i cili ka thënë se nuk kanë marrë ende ndonjë urdhër për anulim të këtij koncerti, për shkak të sulmeve të mundshme terroriste.
Pasi që nuk ka akoma ndonjë urdhër për mos mbajte të koncertit, Kida do të jetë nesër në ora 12:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të kënduar para fansave të saj!