Ndonëse nuk është marrë asnjë masë shtesë nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK’ja në ditën kur po festohet Fitër Bajrami, nga Policia e Kosovës janë deklaruar lidhur me atë se sa janë respektuar masat gjatë ditës së sotme.
Ashtu siç bëjnë të ditur PK në një përgjigje për Metron, në kryeqytet edhe pse janë shtuar përgatitjet për mbarëvajtjen e qarkullimit meqë sot ishte ditë feste, nuk është regjistruar ndonjë rast specifik lidhur me veprimet e qytetarëve në kundërshtim me dispozitat shëndetësore.
“Nuk ka pasur ndonjë rast specifik, ndërsa raportet me detaje dërgohen vetëm pasi të kalojmë në datën tjetër”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Mirëpo, njësoj si në kryeqytetin e Kosovës nuk ka kaluar kjo ditë edhe në Komunën e Kaçanikut, ku diku rreth 20-30 persona kishin vendosur të mos përfillin rregullat e vendosura nga Bashkësia Islame e Kosovës me MSH’në dhe IKSHPK’në, për të mos e falur namazin e Fitër Bajramit në xhami.
Në fshatin Biçec të kësaj komune, një numër i madh i banorëve e kanë falur Bajramin në xhaminë e fshatit, e që bashkë me ta ishte edhe imami i kësaj xhamie.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka njoftuar se faljes së këtij namazi tentuan t’iu bashkëngjiten edhe disa banorë të tjerë të cilët nuk u lejuan të hynë në xhami, ndërkaq ata të cilët ishin brenda nuk janë penguar gjatë procesit të faljes.
Gashi tutje bëri të ditur se ndaj këtyre personave të cilët nuk vepruan sipas dispozitave shëndetësore do të merren masa .