Pesëdhjetë e shtatë policë të Trafikut Urban dhe të Njësisë së Kontrollit të Autostradave nuk do ta veshin më uniformën e policit. Atyre u është ndërprerë marrëdhënia e punës nga Policia e Kosovës, pas përballjes me drejtësinë për korrupsion.
Procedura disiplinore, siç i është konfirmuar “Kohës Ditore”, është duke vazhduar edhe kundër dy policëve të tjerë, ndaj të cilëve Komisioni i Brendshëm Disiplinor i PK-së ka kërkuar hetim shtesë.
Të 59 policët u patën arrestuar në fund të vitit të kaluar gjatë një aksioni të gjerë policor. Ata u patën ftuar për t’u marrë në pyetje në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Nga aty patën dalë të prangosur dhe me urdhër të prokurorit u patën dërguar në qendra të mbajtjes në polici.
Prej këtij grupi, 20 janë policë të Njësisë për Kontrollin e Autostradave, 20 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Veriut, 15 nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Mitrovicës së Jugut, dhe 4 zyrtarë nga Njësiti Rajonal i Trafikut të Prizrenit