Më shumë se 20 anëtarë të dyshuar të një bande hajdutësh bankash braziliane u vranë të dielën në një operacion të gjerë policor në shtetin Minas Gerais, tha një burim policor për AFP.
“Informacioni paraprak që kemi tani për tani është se më shumë se 20 kriminelë kanë vdekur”, tha burimi nga Policia Federale e Autostradave, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Nuk ka anëtarë të forcave të sigurisë në mesin e të vdekurve, tha burimi.
Operacioni i kryer në bashkëpunim me Policinë Ushtarake u zhvillua pranë qytetit të Varginhas.
Policia bastisi dy ferma ku “anëtarët e një organizate kriminale të specializuar në grabitjen e bankave dhe ATM-ve” po përgatisnin sulme në disa degë bankare lokale, tha burimi.
Tetëmbëdhjetë anëtarë të dyshuar të bandës vdiqën në një fermë dhe dy të tjerë u vranë ndërsa policia iu afrua fermës së dytë, tha ai.
Sipas burimit, u sekuestruan një sasi e madhe armësh, duke përfshirë pushkë dhe granata, si dhe disa automjete të vjedhura.
Policia thotë se banda të tilla shpesh u vënë flakën automjeteve të vjedhura për të bllokuar rrugët pas një grabitjeje dhe për ta bërë më të vështirë ndjekjen e tyre nga policia.
Brazili ka parë një rritje të grabitjeve të bankave shumë të planifikuara që përfshijnë armë të rënda, zakonisht në qytete të mesme ku rrugët e arratisjes janë planifikuar me kujdes.
Në gusht, një bandë në qytetin e Aracatuba, në shtetin Sao Paulo, përhapi terror gjatë një grabitjeje që përfshinte drone, eksplozivë dhe përdorimin e pengjeve si mburoja njerëzore.