Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës pas një bastsije që kanë kryer në fshatin Shkabaj të Obiliqit kanë identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike.
Siç njofton prokuroria, laboratori është identifikuar në bodrumin e shtëpisë së një të dyshuari.
“Nga bastisja e kryer në Shkabaj të komunës së Obiliqit, në bodrumin e shtëpisë e të dyshuarit është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike dhe janë gjetur e sekuestruar rreth 700 bimë narkotike të gjatësisë mbi 2m, të llojit kanabis”, njofton prokuroria.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar të cilët me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
“Në këtë çështje penale, prokurori i shtetit ka aplikuar masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, me ç’ rast me aktvendim të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve dy (2) persona të dyshuar, për shkak të veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 lidhur me nenin 275 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.