Në kohën kur krahu i djathtë në politikë po shënon ngritje në shumë shtete të botës – e bashkë me të edhe fryma raciste – në një debat të mbajtur në kryeqytet, është peshuar ndikimi i poezisë në këtë fushë.
Si shembull konkret është përmendur shkrimtari, poeti i njohur italian Gabriele D’Annunzio. Për të u tha, se nuk ka qenë vetëm pionier, por edhe “dizajnuer” i fashizmit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Shembulli i tij është një prej më të njohurve, por edhe shumë shkrimtarë të tjerë në historinë e letërsisë kanë pasur role të rëndësishme mbi kontekstet e ndryshme politike, ndonjëherë edhe të rrezikshme. Derisa D’Annunzio ka qenë një shkrimtar e poet me stil e retorikë të ndjeshme e të fuqishme, ai ka qenë edhe militant nacionalist.
Në skenën e Qendrës Multimedia u bën bashkë shkrimtarë nga vende të ndryshme, të cilët sollën perspektivat e tyre mbi fashizmin e poezinë, gjatë së kaluarës e të tashmes. Shkrimtarët si Antoine Jaccoud , Zora Del Buono, Matteo Colombi , Manjola Nasi dhe Clemens Meyer, në një skenë i bashkoi festivali i letërsisë “Polip”.
Nën moderimin e Alida Bremer, në këtë debat u diskutua mbi politikën, përfshirjen e shkrimtarëve në politikë dhe ndikimin e tyre.
Me këtë debat u mbyll pjesa e parë e natës së tretë të “Polip”. Në mbrëmje dashamirët e letërsisë u mblodhën në seksionin e leximeve. Të dielën mbrëma lexuan, Susanna Rafart, Alida Bremer , Zora Del Buono, Tinka Kurti, Agron Tufa, Ilire Zajmi, Peter Wawerzinek , Elona Çuliq dhe Clemens Meyer.
Nezafete Shala me bend përmbylli natën me muzikë.