Politikanët ferizajas të ndarë edhe për homazhe

Ferizaj | 28 Sht 2017 | 13:28 | Nga

Dita e Dëshmorëve në Ferizaj tuboi mijëra qytetarë në varrezat e dëshmorëve të kësaj komune. Për t’i nderuar ata që dhanë më të shtrenjtën për çlirimin e vendit, qytetarët ferizajas bën homazhe në orët e paraditës. Por, edhe në këtë përvjetor të 28 shtatorit, spektri politik u pa i ndarë, madje kjo u theksua pikërisht në kompleksin e varrezave të dëshmorëve.

Derisa komuna kishte organizuar ecje përgjatë rrugës kryesore në drejtim të varrezave, disa parti opozitare nuk e pritën organizatorin, por bën homazhe të ndarë. Këta janë përfaqësuesit e PDK-së në Ferizaj dhe një pjesë e shoqatave të dala nga lufta.

E, për këtë që ndodhi, kryetari i organizatës së veteranëve të luftës Rafiz Sejdiu, pati një sqarim.

“Në këtë ditë ne kemi emocione të përziera, kemi dhembje për dëshmorët, shokët tonë, por edhe ndihemi krenar pasi që gjaku i tyre ishte vula që ne sot po e gëzojmë lirinë. Sot jemi me një gjendje shumë më të mirë, por shpresoj që ajo që nuk është realizuar deri më tani së shpejti do të realizohet. Unë sot kam qeë i ftuar në seancën solemne, por nuk kam dashur të marr pjesë, pasi kryetari disa marrëveshje dhe vendime që janë pru në Kuvend nuk i ka zbatuar tash e një vit, pra ai i ka prishur marrdhëniet me neve si veteranë”, tha Sejdiu.

Derisa një numër i madh pjesëmarrësish në homazhe të prirë nga liderët e PDK-së vazhdonin nderimin për dëshmorët, grupi tjetër që iu bashkangjit kësaj turme, e që ishte po aq i madh, përfaqësohej nga kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa. Svarqa shprehu pakënaqësi për këtë ndasi që ndodhi.

“Unë i ftoj të gjithë qytetarët që të vazhdojmë të punojmë bashkë në mënyrë që mos të kemi ndasi, sepse jemi shumë të vegjël për t’u ndarë edhe më shumë, edhe kjo nganjëherë që ndodhë për inate shumë të vogla, që dëshirojnë të dalin në sipërfaqe mite të rrejshme të komunës së Ferizajt, ka një mesazh tepër negativ. Zotëri Rafiz Sejdiu nuk ka aspak të drejtë, sepse unë nuk kam pasur asnjë kontratë personale me shoqata e luftës, e as me Rafiz Sejdiu, unë kam pasur vetëm një vendim të Kuvendit të Komunës që do ta respektoj dhe zbatoj. Dje është përplotësuar vendimi me përcaktimin e shumave që do t’u ndahen shoqatave, një vendim i cili ka efekte juridike, retroaktive dhe do të paguhet që nga viti 2016, këto janë arsye banale që po përdoren në fushatë”, tha Svarqa.

I mllefosur për ndarjen e politikanëve nëpër homazhe, u shpreh edhe nënkryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Saqip Rexhepi.

“Mesazhi ynë është që të jemi të bashkuar dhe sa më unik, sepse kështu me përçarje nuk shkohet kah zhvillimi i shtetit të Kosovës dhe nga progresi i qytetit të Ferizajt. Masa ka qenë shumë e orientuar për sot, ndërsa ato rrymat politike e bën të vetën sot, është për keqardhje kjo që po them, por ky është realiteti”, tha Saqip Rexhepi.

Përveç homazheve në varrezat e dëshmorëve, qytetarët ferizajas në krye me udhëheqësit komunal, bën homazhe dhe vunë kurora lulesh nëpër bustet e dëshmorëve që ndodhen në qytetin e Ferizajt.

Për nder të kësaj dite, Kuvendi Komunal i Ferizajt mbajti seancë solemne. (TV Tema)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme