Caktimi i datës 25 shtator për fillimin e fushatës zgjedhore nuk i ka penguar partitë politike që fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit ta nisin para kohe.
Përkundrazi, përfaqësuesit e subjekteve politike javët e fundit kanë shpeshtuar tubimet elektorale me qytetarë dhe kanë dhënë zotime të njëpasnjëshme para tyre.
Lufta ndaj korrupsionit ka qenë kryezotimi i kandidatëve të partive për kryeministër të Republikës së Kosovës javët e fundit, porse nuk kanë munguar as premtimet e atilla që për nëntë vjet rresht po u shërbehen qytetarëve, siç është ai për heqjen e vizave. Por në tërë këtë parafushatë nuk kanë zënë vend të mjaftueshëm idetë konkrete për zhvillim ekonomik të vendit.
Kështu konsiderojnë ekspertët e fushës së ekonomisë, të cilët thonë se ky sektor vazhdimisht është vendosur në plan të dytë, duke mos qenë asnjëherë prioritet as i partive e as i qeverisjeve të deritanishme.