Bujare Abazi dhe Abidin Abduli, përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët (ASH), në emër të koalicionit VLEN kanë dorëzuar padi penale kundër Petar Bogojeskit, kryetar i partisë politike “Koncepti Maqedonas”, partnerit të tyre të koalicionit qeveritar, për gjuhën e urrejtjes që ai përdor kundër shqiptarëve në rrjetet sociale.
Abduli kërkoi që herëve tjera, Prokuroria e Lartë Publike (PTHP) të mos presë denoncime, por të reagojë sipas detyrës zyrtare.
“Me këto veprime, ai ka bërë shkelje të ligjit edhe atë të dënueshme në bazë të kodit penal neni 319-të dhe neni 394. Shpresojmë se në të ardhmen Prokuroria Publike këto vepra do t’i procesojë vetë, në bazë të detyrës zyrtare sepse janë publike dhe të dëmshme mbijetesën e përbashkët këtu në RMV”, tha Abduli.
Padisë së VLEN, Bogojeski iu përgjigj me kundër padi ndaj shqiptarëve dhe, siç thotë ai, krimeve shoviniste ndaj popullit maqedonas. Thotë se VLEN nuk mund të kërkojë që VMRO-ja ta largojë atë nga koalicioni dhe tha se është partner vetëm me VMRO-në, dhe jo me VLEN-in.
Bogojeski konsideron se fjalori që ai përdor nuk është ofendues. Ndërkohë që nuk precizoi se kundër kujt konkretisht i ka dorëzuar paditë në prokurori.
“Në lidhje me emrat, ta lëmë që prokuroria të procesojë dhe të mos t’i bjerë kjo se ne po gjykojmë tash dikë para se të bëhet procedura gjyqësore. Është njëjtë sikur të më padisin se i quaj ‘VLEN’. Fjala ‘shiptar’ dhe ‘albanec’ për gjuhën maqedonase është e njëjtë. Kur qytetarit i drejtohem me fjalën ‘Shiptar’ i drejtohem në gjuhën e tij amtare. VLEN mund të kërkojë ‘përjashtim’ nga shtëpitë e tyre, marrëdhëniet mes VMRO-së dhe Konceptit Maqedonas janë punë e jona”, ka deklaruar Bogojeski.
Ndryshe, për gjuhën e përdorur nga Bogojeski kanë reaguar edhe partitë e Frontit Evropian. Thonë se kjo është turp për VLEN-in dhe se ata tashmë janë shndërruar në servilë të VMRO-së. /tvklan.mk