Promovimi i politikave të gjelbra nuk po merr përkrahje të madhe nga institucionet e Kosovës, derisa më shumë bëhet nga organizatat ndërkombëtare, siç është BE-ja, e cila ka investuar në sektorin energjetik.
Kështu u tha në sallonin e së martës me temën “Promovimi i politikave të gjelbra në Kosovë: Sa është duke u investuar në Kosovë?”, organizuar nga Demokracia për Zhvillim (D4D).
Panelistët thanë se politikat e tranzicionit të energjisë janë të kushtueshme, porse ekziston një paketë 9 miliardë euroshe për t’i ndihmuar politikat e gjelbra.
Burim Ejupi, drejtor Ekzekutiv në INDEP, tha se ndotësit më të mëdhenj në Kosovë janë termocentralet, “Ferronikeli” dhe industria e makinave.
Ai tha se institucionet e Kosovës ende nuk e kanë një strategji mjedisore.
“Ekziston një paketë 9 miliardë euroshe për t’i ndihmuar politikat e gjelbra…Ne kemi marrë obligime me shku kah politikat e gjelbra. Ne gjatë dimrit shpenzojmë dyfish energji”.
Derisa Qeveria Kurti ka refuzuar projektin e gazsjellësit, i cili do të financohej nga ShBA-ja, Ejupi theksoi se gazi është shumë i nevojshëm në tranzicionin e energjisë.
“Secili eksport i Kosovës do të ketë taksë që do të paguajë. Orientimi duhet të jetë ka politika e gjelbër. Na janë ndërruar tri qeveri, por qeveria ende nuk ka plan veprimi. Ende nuk kemi strategji mjedisore në Kosovë. Jemi në një kohë që qeveria nuk e ka luksin e para 5 vjetëve. Na duhet t’i paraprijmë politikave publike”, tha Ejupi.
Koordinatorja e Projektit në FES, Rudina Nallbani, tha se sektori energjetik në vend ka pasur mbështetje të madhe nga institucionet ndërkombëtare. Me këtë rast, ajo tha se investimet më të mëdha janë bërë në sektorin e energjisë.
“Sa i përket sektorit të energjisë në mjedis e shohim se është mbështetur nga institucionet ndërkombëtare dhe ka qenë prioritet dhe investimet më të mëdha janë bërë në sektorin e energjisë. Nëse flasim për mënyrat tjera të furnizimit me energji kemi pasur furnizime të vazhdueshme me ngrohje. Ky projekt është përkrahur nga donatorë të huaj”.
“Investimet kanë qenë të fokusuara dhe të udhëhequra nga sektori privat në Kosovë. Çka mund të ndikojë në ndotjen e ambientit është transporti elektrik. Një prej çështjeve të tjera është edhe diversifikimi ekonomik. Në Kosovë 30 për qind e popullatës po jetojnë në varfëri ekstreme dhe energjia është shërbim primar që kushton. Dhe do të ketë pasoja më të mëdha në ekonomi dhe buxhetin shtetëror. Synimi është që këtë vit të miratohet strategjia”, tha ajo.