Albulena Haxhiu: Serbët e Kosovës votojnë me postë ose te zyra ndërlidhëse

Prishtinë | 23 Shk 2022 | 11:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ka ndryshuar asgjë në lidhje me votimin e mundshëm të serbëve të Kosovës për zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë, ministrja Haxhiu ka theksuar se serbët që jetojnë në Kosovë mund të votojnë përmes postës ose te zyra ndërlidhëse.

“Të gjithë jemi në dijeni se Serbia i ka pretendimet e saj për të mbajtur zgjedhjet e saj në Kosovë jo pse kërkon që një e drejtë e qytetarëve të tyre të adresohet, mirëpo sepse ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Serbisë s’i bëhet vonë për të drejtat e qytetarëve, por përmes atij veprimi do që të jetë në linjë me Kushtetutën e saj”.

Haxhiu tha se Qeveria dhe Kuvendi mbajnë të njëjtin qëndrim si për referendumin kushtetues të Serbisë, që u ndalua të mbahet, duke shtuar se njëlloj mendon edhe presidenca.

Megjithatë, ajo tha se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë mund të votojnë për zgjedhjen e presidentit dhe legjislativit në Serbi përmes Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë ose me postë – ashtu siç u propozua edhe për referendumin e 16 janarit.

“Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës e kanë nxjerrë një rezolutë ku e kanë ndaluar mbajtjejn e referendumit kushtetues më 16 janar. Konsiderojmë që është jashtëzakonisht e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi. Edhe rezoluta e Kuvendit dhe qëndrimet e Qeverisë janë në linjë të njëjtë dhe po ashtu këtë qëndrim e ka edhe presidentja e vendit. Qytetarëve të cilët kanë dy nënshtetësi duhet t’iu ofrojmë zgjidhje dhe ne zgjidhjen e kemi dhënë – të votohet në zyrën ndërlidhëse në Kosovë apo me postë. Këto janë dy propozimet që ne i kemi thënë edhe publikisht dhe nuk ka diçka tjetër në këtë drejtim”.

Të ngjashme