Bilek: Çekia do fokusohet në dialogun Kosovë – Serbi, e ardhmja e tyre është në Evropë

Prishtinë | 21 Kor 2022 | 13:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Republika e Çekisë gjatë kryesimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e integrimeve evropiane. Kështu ka thënë ambasadori çek në Kosovë, Pavel Bilek, raporton Ekonomia Online.

Në tryezën e organizuar nga Këshilli i Investitorëve të Evropës, me temën “Presidenca çeke e BE-së 2022 dhe Ballkani Perëndimor”, ambasadori Bilek tha se shteti i tij do ta përkrah dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se e ardhmja e këtyre shteteve është në Evropë.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë ka lënë pasoja të mëdha në Evropë, teksa kërkoi që BE-ja të përfshihet në dialogun me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“3 javë më parë Çekia ka marrë presidencën e BE-së në një kohë krize në Evropë. Ne kemi prioritet sigurinë e BE-së që kanë të bëjnë me drejtat e njeriut. Po ashtu edhe me luftën në Ukrainë dhe pasojat e saj. Ballkani perëndimor është prioritet dhe do ta përkrah dialogun mes Bashkimit  Evropian dhe Ballkanin Perëndimor. Do të ketë fokus në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë sepse e ardhmja e tyre është në Evropë dhe është në agjendën e republikës çeke. Çekia do të fokusohet në forcimin e sigurisë, në luftën kundër krimit kibernetikë, në zhvillimin ekonomik dhe periudhën pas covidit”, tha Bilek.

Shefi i zyrës së BE, Thomas Szunyog, u shpreh i bindur në përkrahjen e Çekisë në prioritetet që i ka Kosova.

“Unë besoj se politika e Çekisë lidhët me politikat e BE-së ku edhe në Kosovë shohim dy prioritet të cilat e kanë fokusin e njëjtë sigurimi i energjisë. Zyra e BE-së do të bashkëpunojë në realizimin e konferencave që do të mbahen lidhur me sigurimin e energjisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, tha ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, foli për sukseset që sipas tij i ka bërë Qeveria e Kosovës. Tha se në luftën kundër korrupsionit, është ndërruar një imazh i mirë për Kosovën.

“Në luftimin e korrupsionit kemi ndërruar tërësisht imazhin e Kosovës jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Ngritja në 17 vende në “Transparency International”, dhe së fundmi Raporti i Parlamentit Evropian ka mirëpritur intensifikimin e përpjekjeve për të  luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërsa në fushën e migrimit, kornizën legjislative të nevojshme për menaxhimin e migrimit. Kemi  të nënshkruara 26  Marrëveshjet për Ripranim me 22 vende anëtare të BE-së. Gjitha këto kanë bërë që Kosova të ketë numrin më të vogël në rajon të azilkërkuesve pas Malit të Zi. Migrimi sot në Kosovë nuk  është ilegal dhe nuk ka fare të bëjë me liberalizimin e vizave”, tha Bislimi.

Bislimi tha se në Kosovë nuk ekziston më migrimi ilegal, pasi qytetarët largohen me viza pune ose me bashkim familjar.

“Migrimi që ndodh sot në Kosovë është kryesisht legal, pra për viza pune, bashkim-familjar apo studime.  Sa i përket çështjes së dytë kritike për  shtetin e Kosovës në këtë Presidencë, është aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rreth kësaj është mirë të ceken disa arsye se pse Kosova do të aplikojë. 1. Perspektiva Evropiane – që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003 Kosovës i është premtuar perspektiva evropiane”.

“Vitin tjetër bëhen 20 vjet nga Samiti i Selanikut dhe Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim. Perspektiva evropiane nuk do të thotë vetëm Marrëveshje të MSA-së, e as udhërrëfyes të vizave, fonde të para-anëtarësimit perspektiva evropiane duhet të përkthehet ne perspektivë për anëtarësim të plotë në BE, e aplikimi ynë është përpjekje për të konkretizuar perspektivën tonë evropiane, për të cilën kemi mbështetjen mbi 90% nga popullsia dhe konsensus të gjerë të partive politike”, tha tutje Bislimi.

Në fund, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve të Evropës, e uroi Republikën çeke për marrjen e presidencës së Bashkimit Evropian, teksa lexoi edhe programin e këtij shteti që siç tha, është premtues për bashkëpunim sidomos me bizneset kosovare.

Të ngjashme