Kurti shkëmben muhabet me diplomatin që angazhohej për shkëmbim territoresh

Prishtinë | 09 Dhj 2022 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Emisari sllovak për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak ka publikuar dje fotografi nga një ngjarje e mbajtur në Vjenë të Austrisë ku ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në fotografitë e publikuara nga Lajcak, shihet edhe një moment bashkëbisedimi në mes të emisarit sllovak, kryeministrit Albin Kurti dhe diplomatit austriak, Wolfgang Petritsch.

Ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë ka folur hapur në favor të idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Petritsch në një intervistë për “Tanjug” kishte thënë se nëse për arsye praktike korrigjimi është i nevojshëm dhe nëse sjell më shumë siguri dhe paqe atëherë duhet të bëhet.

Kjo nuk është hera e vetme që diplomati austriak ka folur në favor të idesë për korrigjimi të kufijve.

Në një koment që i kishte bërë analistit amerikan, Dnaiel Serëer, Petritsch kishte thënë se edhe nëse do të ketë korrigjime “kozmetike” që do të prekin një numër të vogël fshatrash në rrethinat e Bujanovcit dhe Mitrovicës, ato nuk do të ndryshojnë përbërjen etnike të asnjërit prej shteteve dhe sipas tij s’do të kishte efekte valëzuese.

Përveç kësaj, Petritsch ka kërkuar nga Kosova që në mënyrë urgjente të procedojë edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.  Në një intervistë të dhënë para një muaji kur ka folur për daljen e serbëve nga institucionet dhe situatën në veri të vendit, Petrtitsch kishte thënë se është e vështirë të arrihet një kompromis mes Prishtinës dhe Beogradit nëse marrëveshjet e arritura nuk zbatohen.

“Prandaj hapi tjetër urgjent institucional është themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka deklaruar Petritsch më 9 nëntor 2022.

Kurti e kishte pritur Petritschin edhe në zyrën e tij në Qeveri të Republikës së Kosovës më 23 qershor të vitit 2021. Në këtë takim ata kishin biseduar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për marrëveshjen finale mes dy vendeve.

Për diplomatin austriak ka pasur pretendime edhe që ka lobuar për Serbinë në favor të idesë së shkëmbimit të territoreve. Një gjë të tillë e kishte thënë politikani serb, Vuk Jeremic, ku e kishte përfshirë edhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair. Sipas Jeremic, të dy “punonin për Serbinë në të gjitha nivelet dhe në të gjitha kontekstet”.

 Petritsch gjithashtu në një deklarate të para disa viteve e ka pranuar se ishte angazhuar që të themelohet Gjykata Speciale.

Të ngjashme