Bashkimi Evropian (BE) e sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kohët e fundit po kërkojnë intensifikim të dialogut Kosovë-Serbi dhe përafrim të qëndrimeve nga të dyja palët.
Por njohës të rrethanave politike në vend thonë se nuk presin marrëveshje të shpejtë, madje as vitin tjetër.
Madje ata thonë se Qeveria duhet konsultuar për këtë çështje me partitë opozitare në mënyrë që të mos të ketë telashe për çfarëdo lloj propozimi final për çështjen e dialogut.
Ish-këshilltari i ish-ministres për Dialog, Edita Tahiri, Gazmir Raci në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se për Kosovën e rëndësishme është që në shtyrjen e këtij procesi përpara po merr pjesë edhe ShBA-ja.
Sipas tij, Kosova me ndihmën e ShBA-së dhe dy fuqive evropiane, Gjermanisë dhe Francës do ta përmbyll një proces që është shumë i ndjeshëm për shkak të rrethanave gjeopolitike.
“Për shkak të rëndësisë së madhe unë nuk pres marrëveshje të shpejt në takimin e radhës. Por pres që qëndrimet në mes dy delegacioneve të përafrohen edhe më shumë edhe pse qëndrimin e Serbisë tashmë e dimë publikisht. Ata janë shprehur kundër propozimit gjermano-francez. Për neve është me rëndësi që në këtë propozim të ri që janë edhe ShBA dhe se ndihma amerikane është qenësore për fazën finale”.
“Nëse Kosova arrin të jetë e angazhuar duke mbrojtur qëllimet e saj që nuk do të ketë prekje të rendit kushtetues nuk do të ketë ndryshim të kufijve dhe nuk do të ketë ndryshim të sistemit qeverisës për faktin që ne kemi dy nivele të qeverisjes, nivelin nacional dhe nivelin lokal. Andaj Kosova me ndihmën e ShBA dhe dy fuqive evropiane besoj se do t’ia dalë edhe kësaj faze për ta përmbyllur një proces që është shumë i ndjeshëm për shkak të rrethanave gjeopolitike”.
“Unë pres së që Qeveria dhe kryeministri duhet të hapë debat edhe më të gjerë politik. Duhet konsultuar edhe faktori opozitar në Kuvendin e Kosovës në mënyrë që të mos kemi telashe të tjera për çfarëdo lloj propozimi final për çështjen e dialogut”.
Analisti politik, Shqiprim Pula tha se edhe në të kaluarën Kosova ka pasur disa non paper që në përmbajtje kishte ide dhe propozime për t’i dhënë zgjidhje të statusit Kosovë-Serbi.
Sa i përket dokumentit franko-gjerman, Pula theksoi se këto dy shtete nuk kanë deklaruar autorësinë mbi këtë dokument.
Sipas tij, nga deklaratat që po vijnë nga zyrtarët shtetëror serb duket se nuk do të ketë arritje të qëllimit përfundimtar këtë vit dhe as vitin tjetër.
“Edhe në të kaluarën kemi pasur disa të quajtura non papers që në përmbajtjen e tyre kishte ide dhe propozime për t’i dhënë zgjidhje çështjes së statusit Kosovë Serbi. Por natyrisht që duhet pasur kujdes dhe në këtë rast Qeveria po tregon kujdes për sa i takon përmbajtjes dhe autorësisë. Ne akoma e kemi të paraqitur kush janë autorët e këtij propozimi dhe është e thjesht të thuhet një dokument apo një propozim franko-gjerman, por nuk duhet harruar që as Franca dhe as Gjermania nuk e kanë deklaruar publikisht autorësinë mbi këtë dokument. Prandaj cila do qofshin propozimet dhe përmbajtja e tyre duhet të identifikohet edhe autorësia sepse ka peshë nga kush vjen”.
“Nga deklarimet publike nga zyrtare shtetëror serb duket se nuk do të ketë arritje të një qëllimi përfundimtar këtë vit. Por edhe viti i ardhshëm mund të jetë poashtu një vit që mund të jetë i përafrimit por jo edhe i një përmbyllje përfundimtare sepse të gjitha kërkesat e shtetit fqinjë, pretendimet e tyre madje edhe deklarimet publike karshi komunitetit serb në Kosovë e komplikojnë situatën. Për sa i takon zbatimit të vendimeve të Qeverisë të cilat kanë të bëjnë me shtrirjen e autoritetit në veriun e vendit që ka të bëjë me targat një thirrje publike për mos zbatim do të nënkuptonte mos bindje civile nga ana e popullatës lokale serbe për refuzimin apo mos tregimin e vullnetit për të pranuar si vendime shtetërore dhe legjitime. Prandaj thirrjet e kohëpaskohshme të zyrtarëve të lartë shtetëror karshi popullatës serbe dhe karshi temave të mbetura hapur vetëm sa 3 bëjnë më kompleks procesin dhe tregon që është larg arritja e qëllimit përfundimtar”, tha Pula.