MD: Për dy vite, Ministri Tahiri ka pasur vetëm 5 dreka pune dhe një pritje në vlerën prej 1,125.40 Eurosh

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Reagimi i plotë:

Ministria e Drejtësisë e cilëson tërësisht të shtrembëruar të vërtetën faktike që është prezantuar si e tillë në lajmin e publikuar sot, më datë 01 Tetor 2019,  në gazetën Koha Ditore, me titull “Abelard Tahiri çoi 12 mijë euro në dreka e darka”.

Ministria e Drejtësisë dëshiron të sqaroj opinionin publik, se që nga data e emërimit si Ministër i Drejtësisë me 9 Shtator 2017 e deri sot, Ministri i Drejtësisë z. Abelard Tahiri ka pasur vetëm 5 dreka pune dhe një pritje për Ministren e Drejtësisë së Shqipërisë, të cilat në total kanë vlerën prej 1.125.40 Euro.

Ministria e Drejtësisë është shembull i transparencës së shpenzimeve, tabelat e të cilave i publikon për çdo javë në faqen elektronike të institucionit, të cilat japin pasqyrën reale të shpenzimeve të përditshme që realizohen rregullisht.

Shkrimi i publikuar sot, është në shpërputhje të plotë me kalkulimin real të drekave të Ministrit Tahiri dhe kalkulimeve që iu është bërë tabelave zyrtare të shpenzimeve që ka dërguar Ministria e Drejtësisë në adresë të gazetës Koha Ditore.

Kërkesa e gazetarit të Kohës Ditore drejtuar Ministrisë së Drejtësisë ka qenë e drejtuar në mes tjerash për “shpenzimet e reprezentacionit” që janë të rregulluara me rregulloret dhe ligjet në fuqi dhe jo për drekat zyrtare të Ministrit Abelard Tahiri.

Megjithatë, në publikimin e lajmit, konotacioni i është vënë me theks tek drekat dhe darkat e Ministrit Tahiri, duke i dhënë formë dhe përmbajtje tërësisht të paqenë raportimit për lartësinë e shumave dhe drekave zyrtare.

Shtrembërimi i kalkulimit të linjave buxhetore dhe shpenzimeve që ndahen për secilën kategori, është i papranueshëm që qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe opinionit publik t’i shërbehen si fakt.

Paqartësitë e gazetës për të kuptuar shpenzimet individuale të Ministrit Tahiri dhe stafit të tij, ndaras nga linjat buxhetore të përcaktuara me rregulloret dhe ligjet në fuqi, është hasur në secilin përshkrim që iu është bërë shpenzimeve të kabinetit të ministrit Tahiri.

Për hir të së vërtetës dhe për informimin e drejtë të opinionit publik, Ministria e Drejtësisë ka dërguar tabelat e shpenzimeve zyrtare të kabinetit në totalin e tyre sipas linjave buxhetore.

Prandaj, në formë të demantit për drekat dhe darkat e Ministrit Abelard Tahiri, përmes këtij reagimi, kemi përcjellë tabelën zyrtare të shpenzimeve për dreka dhe darka të Ministrit Abelard Tahiri, të cilat janë të bashkëngjitura.

Ministria e Drejtësisë fton gazetën Koha Ditore që në reflektim të së vërtetës, të publikojë këtë reagim në përputhje me parametrat e shkrimit të publikuar me datën 01 Tetor, 2019 dhe t’i përmbahet etikes së korrektësisë.

Të ngjashme