Parduzi e quan të padrejtë arrestimin e Mustafës, thotë se s’ka bazë e fakte e se janë gënjeshtra të dëshmitarëve të rrejshëm e prokurorisë serbe

Prishtinë | 11 Pri 2022 | 18:00 | Nga Ekonomia Online

Dëshmitari i tetë i mbrojtjes, Kapllan Parduzi, në sesionin e fundit të gjykimit të së hënës, në rastin e Salih Mustafës, ka deklaruar se arrestimi i këtij të fundit është i padrejtë.

Kjo sipas tij, pasi tha se mendojnë se është i padrejtë ngase nuk ka bazë dhe fakte dhe të gjitha janë sajesa me gënjeshtra të dëshmitarëve të rrejshëm dhe prokurorisë serbe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Që fatkeqësisht ju i keni dekorue, ata që na kanë vra, na kanë djegë e na kanë pjekë, ju keni bashkëpunue dhe i keni nderue”, tha ai.

Fillimisht, pas pauzës së drekës, në sesionin e tretë të gjykimit, dëshmitari Parduzi, duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Silvia D’Ascoli, ka deklaruar se me Nuredin Ibishin kanë punuar, luftuar dhe gjithë kohën kanë qenë bashkë.

Kurse, tha se detyra specifike askush nuk ka pasur ndaj ndonjë individi, por kanë pas detyrë të luftojnë armikun aty ku të munden.

Më pas, prokurorja e pyeti se a i ofronte siguri Ibishit dhe a ishte përgjegjës për sigurinë e tij.

“Sigurinë secili e ka pas për veti, sigurinë e kemi pas për popull, ka term të gjatë siguria”, u përgjigj dëshmitari Parduzi.

Tutje, ai tha se me dijeninë e tij po bën përpjekje të jetë sa më konciz e i saktë.

“A ishte një nga detyrat e tuaja konkrete gjatë shërbimit në UÇK, të shoqëronit, siguronit zotin Ibishi, t’i ofroni mbrojtje fizike”, pyeti prokurorja.

Ai sërish tha se sigurinë e kanë pasur për popull dhe kanë luftuar së bashku. Ndërkaq, tutje deklaroi se nuk mund të përgjigjet me po ose jo, po ashtu tha se nëse fakti që kanë qenë 24 orë së bashku nënkupton siguri, atëherë le të mbetet ashtu.

Sipas tij, jo vetëm për Ibishin, por për asnjë komandant nuk ka pas siguri në nocionin e ‘bodyguard-ave’.

“Kemi qenë së bashku, kemi luftu, e kemi mbrojt njëri-tjetrin, por jo specifikisht ky ose ai”, tha ai.

Prokurorja e pyeti se a i kujtohet dëshmia që ka dhënë në çështjen e Latif Gashit e të tjerëve në shtator të vitit 2002, kurse dëshmitari e konfirmoi këtë, ndërkaq tha se atë deklaratë nuk e ka nënshkruar pasi është ofruar vetëm në gjuhën angleze.

“As s’e mohoj, as s’e pohoj, po s’e kam nënshkru, thjesht”, tha tutje ai.

Ndërkaq, prokurorja tha se në atë deklaratë kishte bërë të ditur se kishte qenë detyrë e tij edhe të ofronte siguri për Ibishin.

“Me vet faktin që s’e kam nënshkru deklaratën, do të thotë se pranoj si të tillë, u përgjigja kemi qenë 24 orë së bashku. Derisa s’e kam nënshkru si mund të merret si dëshmi, as s’e kam lexu, as nuk o ofru, as nuk e kam nënshkru”, tha ai.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt- Foglia, tha se në këtë dëshmi, ajo sheh një firmë.

Kurse, pasi iu paraqit dëshmitari në pamje, ai sërish tha se nuk është e vërtetë dhe nuk e ka nënshkruar deklaratën pasi nuk i është ofruar në gjuhën shqipe.

Më pas iu paraqit edhe një faqe tjetër e deklaratës, ku ai sërish tha se nuk është e vërtetë që e ka nënshkruar këtë deklaratë.

“Edhe në procesverbalet mund t’i merrni në Prishtinë, nuk e kam nënshkrue deklaratën se so në gjuhën shqipe”, tha ai.

Më pas, prokurorja iu drejtua duke i thënë se sapo iu tha që e njeh se firma në faqen e fundit është e tij.

“Unë thash që nënshkrimi osht i jem, po në gjuhën angleze nuk e kam nënshkru”, tha ai ndër të tjera.

Ndërkaq, prokurorja tha se dokumenti është në gjuhën angleze.

“Me vet faktin që ka qenë prezent avokati Ahmet Gashi që nuk e ka firmën, mund ta konfirmoni çdo herë, e them me përgjegjësi penale dhe morale, nuk e kam nënshkru deklaratën në gjuhën angleze, kam kërku ta kem në gjuhën shqipe, ta lexoj e firmosi, megjithatë nuk është mundësu dhe nuk e kam nënshkru”, tha ai.

Kryetarja e trupit gjykues, e pyeti se a e sheh që deklarata është anglisht dhe nënshkrimin e tij në tekstin anglisht, ku ai e konfirmoi.

Tutje, prokurorja lexoi transkriptin, ku ishte pyetur dëshmitari “kur ndaluat të ishit truprojë e komandant Lekës”, ku sipas saj ai kishte thënë se puna e tij ndaloi kur u plagosën të dy në betejën e Surdullit më 8, 9 ose 10 prill.

Ndërkaq, kur u pyet se a i kujtohet kjo, dëshmitari tha se nuk duhet të ngatërrohen gjërat.

“Nuk ka pas detyrë specifike, ne kemi qenë 24 orë së bashku dhe në kontest sigurisht e ka nxjerrë dhe ka mujt kështu me qenë, unë e kam thënë dhe po e përsërs që 24 orë kemi qenë së bashku, jo në cilësinë e sigurimit të afërt, por në cilësi të ushtarit sepse secili e kemi pas sigurinë për veti dhe me rujt njëri-tjetrin”, tha tutje Parduzi.

Kurse, më pas iu lexua pjesë tjetër nga kjo deklaratë, ku kishte thënë “detyrat e mia ishin të njëjtat sikur të gjithëve për ofrimin e sigurisë për një person me rëndësi si komandant Leka”.

Ai tha se kanë kaluar 20 vite dhe se e sqaroi këtë.

Kur u pyet nga gjykatësja se a është e vërtetë që ka qenë përgjegjës për sigurinë e Ibishit, ai deklaroi se nuk është e vërtetë që ka pasur përgjegjësi në konceptin që po thuhet, por se kanë qenë 24 orë së bashku në çdo lëvizje e veprim, fushëbetejë dhe i kanë ofruar siguri njëri-tjetrit.

“A po na thua që ky dokument është keqpërdorur çka keni thënë ju, janë të rreme të fabrikuara? Sepse kemi një dokument zyrtar ku thuhet se keni thënë x, y gjëra dhe nuk ka lidhje me mënyrën si i interpretoj gjërat, janë fjalë për fjalë këtu dhe po thoni se nuk është e vërtetë. Në dokument duket që keni thënë, po thoni se është e rreme”, ka pyetur Veldt- Folgia.

“As nuk gjykoj as paragjykoj që osht e rreme, sigurisht ka të pavërteta që thuhet, a ka rrejt a jo e din ai, derisa nuk më është ofruar në gjuhën shqipe ta lexoj e firmosi, e kam kontestuar në seancë të hapur publike, atëherë si mund ta pranoj këtë”, pyeti ai.

Ndërkaq, tha se pas luftës ka pasur kontakt me Ibishin dhe se e takon si bashkëluftëtar, si mik, si komandant.

Kurse, i pyetur se kur është takuar për herë të fundit, tha para 10 dite apo dy jave. Tutje, deklaroi se takohen edhe më kalim e sipër, për përvjetorë, festa kombëtare, e të tjera dhe që atë e konsideron më shumë sesa mik, por jo vetëm atë.

“A e dinit se zoti Ibishi po ashtu ka dhënë deklaratë për mbrojtjen e Salih Mustafës”, pyeti prokurorja D’Ascoli, ndërkaq dëshmitari mohoi këtë.

I pyetur se a ka folur me Ibishin pas dhënies së deklaratës për mbrojtjen, ai tha se ka folur, por shtrohet pyetja cila ka qenë biseda.

“A ishte menjëherë pasi keni dhënë deklaratën apo jo”, pyeti prokurorja, e dëshmitari tha se nuk e di këtë, kurse tha se nuk ka qenë relevante për të kur ka biseduar dhe kur janë takuar, kanë biseduar e pirë kafe.

Ndërsa, tha se nuk e ka diskutuar me të e as nuk i ka treguar se ka dhënë deklaratë për mbrojtjen e Mustafës.

Dëshmitari shtoi se nuk i kujtohet se a ka diskutuar me dikë tjetër faktin që ka dhënë deklaratë për Mustafën, por se ka mundësi që mund të ketë ndodhur kjo.

Lidhur me Salih Mustafën, ai tha se shumë rrallë ka mbajtur kontakte me të pas përfundimit të luftës.

“Për përvjetorë që jemi taku, manifestim dhe ka qenë më duket nëse nuk gaboj në ’99 apo 2000 një darkë që e ka organizu KFOR-i dhe kemi qenë gjithë së bashku, përndryshe jo”, tha ia.

Kurse, i pyetur se a e ka kontaktuar atë pasi është arrestuar, dëshmitari tha se nuk ka pasur mundësi se po të kishte do ta kontaktonte çdo ditë.

Ndërkaq, konfirmoi se ka pasur kontakt me familjarë të Salih Mustafës pas arrestimit të tij, konkretisht vëllanë e tij, që shkurt e thërrasin “Ben”, por se emri nuk i kujtohet.

“Unë e kam kontaktu se më vjen keq që o Salihu këtu, se e ka pas babën smut, djalin e kam në farmaci dhe ka pas nevojë për ca barna dhe kem kontaktue e sa kem pas mundësi me i ndihmue”, tha ai.

Ndërkaq, theksoi se e ka përjetuar keq arrestimin e Mustafës dhe mendojnë se është arrestim i padrejtë me sajesa.

Sa i përket pyetjes se a e ka përcjellë procesin gjyqësor, ai pyeti se a është e ndaluar kjo.

“Gruaja, dhe kur kam shku mbrëmje m’i ka interpretue. Edhe unë kur kam pas kohë i kam përcjell, por gruaja vazhdimisht i përcjellë”, u shpreh ai, duke shtuar se sa kishte mundësi i ka ndjekur pasi është në punë, ndërkaq tha se shumica e seancave po mbahen private, po aq sa ka mundur i ka përcjellë.

Për dëshmitarët e tjerë tha se ka ndodhur se i ka përcjellë 15 minuta apo në fund, por se gruaja e tij i ka përcjell 90% dhe i kanë diskutuar në mbrëmje.

I pyetur se pse e quan të padrejtë arrestimin e Mustafës, ai tha se mendojnë se është i padrejtë sepse nuk ka bazë dhe fakte dhe të gjitha janë sajesa me gënjeshtra të dëshmitarëve të rrejshëm dhe prokurorisë serbe.

Më pas, pas marrjes në pyetje nga prokuroria, Parduzit i është dhënë mundësia për të shprehur shqetësimet që nga fillimi deshi t’i shprehte.

“I kam dy shqetësime, një ka të bëjë me qasjen time nga ana e prokurorisë edhe pse e kanë ditë që jam dëshmitar i mbrojtjes më kanë ftu në dhjetor 2021 dhe jam intervestu më 10 apo 11 janar 2022. Konsideroj se është bërë një trysni ndaj meje dhe tërësisht është e padrejtë. Nëse i referohemi ligjeve të Kosovë që këta zotërinjtë thirren atëherë mbi bazën e Kodit të Procedurës Penale nuk kanë të drejtë në fazën prokuroria të merr dëshmitarët e mbrojtjes në pyetje”, tha ai.

Tutje, filloi të fliste për mënyrën e ftesave që u bëhen për dorëzimin e pasaportës dhe marrjen e vizave për të udhëtuar në Hagë, gjykatësja Veldt-Foglia, tha se për këtë temë do të diskutojnë në seancë private, me ç’rast dhe u kalua nga seanca publike në atë private.

Pas rikthimit në seancë publike, Veldt- Foglia tha se ka lexuar dëshminë e tij për prokurorinë, duke i thënë “Ju thoni që ju kanë bërë trysni dhe presion për t’i dhënë dëshmi prokurorisë”.

“Sjellja e tyne ka qenë korrekte, brenda objektit janë sjellë mirë, por vet fakti që jam ftuar për t’i dhënë dëshmi prokurorisë, e konsideroj si lloj frike dhe trysnie. Kështu e konsideroj unë”, tha ai.

Ndërkaq, konfirmoi se deklarata që dha për ta ishte vullnetare dhe tha se ai xhaxhain e ka të zhdukur dhe ka menduar se kanë zbuluar ndonjë varrezë masive dhe kanë ndonjë të re rreth gjetjes së trupit të xhaxhait të tij, prandaj ka shkuar se në të kundërtën jo.

“Përveç gjykatës që jam nën betim, nuk mun më obligon askush me folë. E kam shpreh këtë shqetësim edhe para atyne atje”, tha ai.

Më pas, gjykatësja e pyeti se çfarë komenti dëshiron të bëjë dhe se cila është çështja që dëshiron ta ngritë.

“Që të mos vazhdoj në të ardhmen sepse kur ndodh me mu sigurisht ka me ndodh edhe me tjerët dëshmitarë. Kjo praktikë duhet të ndërpritet. Konsideroj unë kështu. Nëse kisha qenë i prokurorisë, me çfarë të drejtë do më ftonte mbrojtja, veç kur gjykata obligon ndryshe, pa vendim të gjykatës konsideroj se është shkelje e ligjit dhe veçanërisht ligjit të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se ka bërë përpjekje të tregojë të gjitha që i kujtoheshin dhe të gjitha i ka thënë me sinqeritetin më të madh, pavarësisht asaj që nuk ishte në betim.

Tutje, për dëshmitarin, pyetje kanë parashtruar trupi gjykues, ku tha se nuk e di se ku ka qenë i vendosur Mustafa, por e di që e kanë takuar, u ka siguruar rrugën e ndihmuar për të kaluar kufirin për Maqedoni.

Në pyetjen se përse ka deklaruar se Salihu ishte vendosur në Zllash, dëshmitari u përgjigj se ka thënë se e ka takuar në Zllash, por se nuk ka mbajtur evidencë se a ka qenë i vendosur në Zllash apo jo.

Gjykimi ndaj Salih Mustafës pritet të vazhdojë më 12 prill, me dëgjimin e dëshmitarit të nëntë të mbrojtjes.

Të ngjashme