Nënshkrimet e qytetarëve, apo siç njihen ndryshe si peticione, nuk është që po përfillen aq shumë nga institucionet e Kosovës. Një i tillë së fundmi është iniciuar nga disa qytetarë, që kërkojnë lejimin e mjeteve nga Trusti Pensional, raporton Ekonomia Online.
Analistët në vend, thonë se peticionet asnjëherë nuk janë marrë për bazë nga vendimmarrësit.
Analisti politik, Gazmir Raci, ka kërkuar që kërkesat e qytetarëve të zgjidhen në Kuvend, dhe se për peticionet thotë se po jenë të paefektshme.
“Peticionet janë instrumente demokratike që në çdo vend normal shfrytëzohen nga ana e qytetarëve për të ngritur çështje të caktuara nga institucionet që ofrojmë zgjidhje të problemeve. Unë do isha më i koncentruar dhe do të dëshiroja që çështja e këtyre kërkesave, problemeve të zgjidhej nga Kuvendi i Kosovës sepse deputetët janë përfaqësuesit e popullit të zgjedhur nga kjo trupë elektorale. Deri tani asnjë peticion me sa unë jam në dijeni nuk është marrë seriozisht në konsideratë apo nuk janë zgjidhur kërkesat që janë ngritur nga ana e peticioneve”, tha Raci.
Se peticionet nuk janë marrë për bazë as në të kaluarën, Raci e përmend mbledhjen e 100 mijë nënshkrimeve kundër Asociacionit. Kjo dosje qytetare me 100 mijë firma kishte kaluar edhe në seancë plenare, por nuk ishte votuar.
“Kishte peticione në të kaluarën me mbi 100 mijë nënshkrime por nuk janë marrë për bazë nga ana e institucioneve në të kaluarën andaj koncentrimi më i mirë dhe presioni do të duhej të bëhej tek institucionet e Kuvendit të Kosovës që përmes nismave legjislative në kuvend të bëhej ndryshime të çfarëdo lloj natyre. Nëse nuk ka asnjë peticion që institucionet ti marrin për bazë kërkesat atëherë i bie edhe vlera dhe nuk ka kuptim që të shkohet më përmes kësaj forme. Por nuk do të thotë që njerëzit nuk kanë të drejtë për të kërkuar edhe përmes kësaj forme sepse është një ndër format më demokratike të ngritjes së zërit të qytetarëve karshi institucioneve vendimmarrëse”.
Se peticionet nuk kanë dhënë ndonjë efekt të madh, e thotë edhe analisti tjetër, Bekim Kabashi. Ai kritikon politikën që nuk po i merr për bazë kërkesat e drejtpërdrejta të qytetarëve.
“Unë nuk mbaj mend se ndonjëherë ndonjë peticion ka shkuar deri në fund ashtu në formën si është nisur. Jo çdoherë politika e shfrytëzo drejtë këtë instrument sikur se instrumentet e tjera, ne e dimë që politika nganjëherë manipulo si me protesta, madje edhe me votën e qytetarit që përfaqësohet në Kuvend, në institucionin më reprezentativ në vend. Nuk është që i mban premtimet për të cilën e merr votën. Abuzohet edhe me peticionin mirëpo ai duhet të jetë aty dhe të shfrytëzohet kur është e nevojshme”, tha ai.
E duke folur për iniciativën e fundit të qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, Kabashi e vlerëson si të duhur. Ai ka kërkuar që një gjë e tillë të lejohet dhe të mbetët në diskrecionin e qytetarëve nëse duan apo jo t’i tërheqin ato mjete.
“Unë personalisht e kam mbështet tërheqjen e trustit sepse ajo nuk është e detyrueshme , nëse merret vendim në Kuvend që në bazë të ardhurave ose mjeteve të grumbulluara në Trust dikush të ketë mundësi t’i tërheq 10 për qind, 20 ose 30, për secilin prej tyre është në vullnetin e atyre qytetarëve që të vendosin se a duan me i tërheq apo jo. Por këtë rast është shumë e nevojshme që të shfrytëzohet. Kjo është në vullnetin e tyre, nëse dikush i ka kushtet mirë dhe nuk është se i duhet domosdo ajo pjesë e mjeteve atëherë i len aty”, tha tutje Kabashi.