Rinisin bisedimet në Bruksel, diskutohet për Asociacionin

Prishtinë | 27 Shk 2018 | 08:21 | Nga

Prishtina dhe Beogradi kanë rinisur dje dialogun në Bruksel, në të cilin është diskutuar për implementimin e Marrëveshjes së Lirisë së Lëvizjes, Drejtësisë dhe Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM), ndërkohë që takimet do të vazhdojnë edhe sot ku do të diskutohet rreth Marrëveshjes për Asociacionin Serb, Energjinë dhe urën në Mitrovicë.

Kështu ka thënë dje zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kociançiq, pas takimit ndërmjet delegacionit të Kosovës, të udhëhequr nga Avni Arifi dhe delegacionit serb të prirë nga Marko Gjuriq.

“Takimi u zhvillua në një atmosferë të përzemërt dhe konstruktive. Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë e tyre për t’i rifilluar diskutimet mbi tema të ndryshme që u diskutuan sot”, ka thënë ajo.

Kocijançiq e ka cilësuar këtë takim si shumë të rëndësishëm.

“Është e vërtetë që pas një kohe të gjatë ne kemi një format të tillë dhe po flasim për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu, por të cilat nuk janë zbatuar. Në këtë kuptim takimi ka qenë shumë i rëndësishëm”, ka thënë Kocijançiq, shkruan “Zëri”.

Sipas zëdhënëses së KE-së, dialogu duhet të vazhdojë me një ritëm më të shpejtë.

“Ne e presim një angazhim konstruktiv nga të dyja shtetet në zbatimin e marrëveshjeve”, ka thënë ajo.

Ndërkohë deputetë të opozitës në Kuvendin e Kosovës janë shprehur pak optimistë se marrëveshjet do të zbatohen.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme