Rugova: Nuk pres të ketë arrestime spektakolare nga Specialja

Prishtinë | 05 Kor 2017 | 13:25 | Nga

Analisti politik Arben Rugova, ka vlerësuar se nuk do të ketë arrestime spektakolare, pavarësisht aktivizimit të Speciales. Ai po ashtu, ka thënë se Specialja nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në shpejtimin ose ngadalësimin e krijimit të institucioneve të Kosovës, pavarësisht se që nga sot, është hapur rruga për ngritjen e aktakuzave.

“Unë nuk pres të ketë arrestime spektakolare, gjatë natës, as dhjetëtra policë të njësisë speciale që do rrethojnë shtëpi, por ngritje aktakuzash dhe vetëdorëzim të të dyshuarve. Ngritja e Gjykatës Speciale është një rast ‘sui generis’, është një padrejtësi që i është imponuar Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, por e pranuar nga institucionet, pjesë e të cilave ishin edhe disa prej atyre që dyshohet se mund të kenë kryer krime gjatë luftës së fundit”, ka deklaruar ai per ‘zerin’.

Ai më tej, ka thënë se aktivizimi i Gjykatës Speciale nuk nuk duhet të ketë asnjë lidhje me formimin e institucioneve bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor.

 

Ndërkohë, ka konsideruar se shumica e të akuzuarve do të jenë zyrtarë të lartë të politikës, porse sipas tij, nuk do të fshihen pas pozitave shtetërore.

“Prandaj, nëse vetë të dyshuarit e kanë votuar në Qeveri e Kuvend këtë gjykatë, e cila për provë kryesore ka një raport do të thosha të trilluar të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, atëherë nuk ka asnjë arsye për ndërlidhje me formimin institucioneve të reja. Sepse, të akuzuarit e mundshëm që të gjithë supozojmë se shumica do të jenë zyrtarë të lartë të koalicionit PAN, nuk do të fshihen pas pozitave shtetërore që mund të marrin dhe besoj që as nëpërmend nuk u shkon të bëjnë veprime që do të rrezikonin stabilitetin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas Rugovës, ashtu sikurse ish-kryeministri Ramush Haradinaj në Hagë, ashtu edhe të tjerët që do të mund të akuzohen nga Gjykata Speciale, do të tregohen të gatshëm të dëshmojnë pastërtinë e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.(Zeri)

Të ngjashme