Të pagjeturit, kërkohen mjete shtesë për identifikimin e viktimave të luftës

Prishtinë | 17 Nën 2018 | 08:20 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tash 20 vjet pas luftës, Kosovës ende i mungojnë 1648 persona të zhdukur, për të cilët nuk dihet se ku mund te jenë. E, për vendndodhjen e tyre, Kosova ka kërkuar me qindra herë nga Serbia që të jap informacione që qojnë në drejtim të zbardhjes së fatit të tyre.

Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se vazhdimisht i bëjnë kërkesë Serbisë për të zhdukurit, por sipas tij, të diskutosh me palën serbe është shumë e vështirë.

Ai tha se janë disa lokacione ku Serbia e din se ku mund të jenë të pagjeturit, por deri më tani komunikimi me ta sipas Gërxhaliut, ka qenë i vështirë.
Ai ka përmendur rastin e profesor Ukshin Hotit dhe shumë të tjerëve, për të cilët Kosova ka kërkuar përgjigje nga Serbia.

“Vazhdimisht bëhet trysni, por kemi të bëjmë me një shtet që ndoshta edhe Bashkësia Ndërkombëtare e ka pak sa më vështirë të ndikojë në shtetin e Serbisë, vazhdimisht kemi bërë kërkesa. Nëse marrim rastin e profesor Ukshin Hotit prej vitit 2004 në çdo takim ne dorëzojmë kërkesa edhe të shumë tjerëve dhe shumë lokacioneve për të cilat kemi disa informata që në fakt e dimë që ndoshta pala tjetër i din lokacionet, por nuk është e lehtë të diskutosh me palën serbe”, Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka thënë se të gjitha urdhëresat që vijnë nga prokuroria për krime lufte, Instituti mundohet menjëherë t’i zbatoj. Ai tha se kohëve të fundit intensiteti i punëve është shtuar pasi që stina e dimrit ua vështirëson punën edhe më shumë.

“Brenda tri jave kemi pas 12 urdhëresa që kanë ardhur dhe jemi duke i zbatuar, i kemi hapur mbi 8 lokacione e kemi shfrytëzuar këtë kohë. Nëse arrin ndonjë urdhërese e re, varet nga hetuesia e policisë që i propozojnë prokurorit dhe do dalim menjëherë, por qëllimi ka qenë që këto urdhëresa të mos na i zë dimri sepse kur fillojnë temperaturat minus dhe ngrirja e tokës atëherë është e pamundur që ne të dalim dhe punojmë deri në pranverë”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka folur po ashtu për vështirësitë që ka Instituti, ku ai tha se për të arritur një sukses më të madh dhe për të identifikuar më shumë viktima duhen edhe mjetet shtesë në terren dhe pajisje tjera.

“Gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë e lehtë të punohet, vetë fakti se me një anë kemi mësuar prej shumicës së ekspertëve që kanë qenë ndërkombëtar, në anën tjetër është nevojitur edhe nga ana e jonë që të bëhen investime më shumë në shkollim e njerëzve, duke filluar nga unë e deri tek stafi i fundit. Kemi të bëjmë me natyrë jo specifike të punës, sepse ka nevojë për mjete shtesë në terren dhe është një punë shumë e madhe që pastaj përfundon në tavolinën e autopsisë, qoftë rastet e luftës, qoftë rastet e freskëta që i kemi përditshmëri”, tha ai.

Gërxhaliu ka folur edhe për kufomën e cila është gjetur në fshati Planej, të komunës së Prizrenit, e cila i takon luftës së fundit në Kosovë.

“Kufoma i takon luftës së fundit në Kosovë dhe thjeshtë vegjetacioni e kishte mbuluar për këto kohë, d.m.th është vrojtuar nga kalimtarët të cilët kanë kaluar andej pari, nuk kemi gjetur ndonjë shenjë që mund të jetë bindëse që i takon uniformës, e ka një vetor që e mbanë dhe pantallona civile në pjesën e poshtme, pjesë skajore të trupit i mungojnë ndoshta kafshët e egra i kanë marrë ndërkohë, por pjesa e madhe e trupit është dhe tani do të bëhet ekzaminimi mjeko-ligjor i skeletit dhe do merren mostrat dhe do dërgohen në Hagë për t’ia bërë analizën e ADN-së”, tha ai.

Gërxhaliu thotë se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova sipas statistikave ka arritur të identifikoj më së shumti viktima të zhdukura.

“Në aspektin e identifikimit jemi pothuajse më së miri në ish-Jugosllavi sepse Kroacia ka filluar me numër të përafërt sikurse Kosova diku afër 6 mijë e 400 persona dhe ka filluar 5-6 vite para neve me këtë proces. Ne kemi filluar me të njëjtin numër diku 6400-6500 të zhdukur në vitin 99, kurse sot jemi me 1648 të cilët ende mungojnë”, ka thënë Gërxhaliu për Ekonomia Online.

Të ngjashme