Viola Von Cramon: Kosova e meriton anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 28 Shk 2022 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Raportuesja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon ka deklaruar se do të mbështesë propozimin e Qeverisë, që Kosova të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

Në një publikim në Twitter, Cramon shkroi se Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë qasjen në mekanizmat e Evropës.

“Unë e kam mbrojtur këtë për një kohë të gjatë dhe kështu jam dakord me propozimin e Qeverisë së Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Qytetarët e Kosovës meritojnë qasje të plotë në mekanizmat më të vjetër të Evropës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut , duke përfshirë #ECHR #ECtHR”, shkroi Cramon.

Po ashtu, edhe themeluesi dhe kryesuesi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus ka thënë se është momenti që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

Të hënën gjatë ditës, ai shkroi në llogarinë e tij në Twitter se mbështetja e politikave të jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe nga Kosova duhet të shpërblehet me anëtarësim në KE.

“Është e çuditshme pozita e Kosovës jashtë Këshillit të Evropës. Kosova mbështet politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Britanisë së Madhe. Do të ketë vota në BE për ta pranuar atë. Bëjeni tani. Vëreni në votim pranimin e Kosovës”, ka theksuar Knaus.

Të ngjashme