VV-ja kërkon hetime për dhënien e kiosqeve në Prishtinë

Prishtinë | 29 Qer 2019 | 13:09 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria dhe Autoriteti i Konkurrencës që të nisin hetimet për dhënien e kiosqeve në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Kjo parti ka dhënë kritika në adresë të kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për çështjen e dhënies së kiosqeve në kryeqytet.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli dhe kryetari i Qendrës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia, në një konferencë për medie, kanë thënë se ky proces është duke u përballur me parregullsi të vazhdueshme dhe shkelje të ligjit.

 Për këtë arsye, ata ftuan Prokurorinë dhe Autoritetin e Konkurrencës që të hetojnë.

Deputetja Pacolli tha se njoftimi për dhënie të kiosqeve është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është formuar asnjë komision për ankesa dhe ky i shkon në favor vetëm kompanive të mëdha.

“Në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, gjegjësisht me nenin 18, paragrafin 1 dhe 2, ky njoftim është bërë pa formuar paraprakisht Komisionin për Ankesa. Në këtë mënyrë, të gjitha palëve të interesuara, përveç heqjes së mundësisë për të aplikuar për shkak të kritereve, ua heq edhe mundësinë e animimit të këtyre palëve. Nuk respektohet as Neni 15, paragrafi 3, i cili obligon Komunën që në njoftim të paraqesë arsyeshmërinë për interesin publik apo impaktin në zhvillimin ekonomik të qytetit”, tha ajo.

“…46 familjeve do t’i jepej mundësia e zhvillimit dhe e pavarësimit nga varësia në skemën sociale dhe kategorinë e subvencioneve që komuna jep çdo vit për këto familje dhe komuna do të përfitonte duke u liruar nga obligimet që ka për mirëqenien e këtyre familjeve”.

Sipas saj, kohëve të fundit të gjithë tenderët kryhen shpejt dhe më heshtje, ndërsa në projektet më të mëdha po ka zvarritje.

“Nuk janë respektuar disa ligje. Për aq sa kemi informacion komuna nuk ka bërë asnjë analizë dhe janë anashkaluar disa faza”, tha ajo.

Kryetari i Qendrës së VV-së në Prishtinë, Arben Vitia, tha se kriteret e vendosura janë diskriminuese dhe se në këtë formë vetëm sa nuk janë shpallur emrat e fituesve.

“Kriteri i përcaktuar për aplikuesit që të kenë rrjet të së paku 5 dyqaneve (marketeve) dhe qarkullimin prej 5 milionë eurove në 3 vite forcon bindjen se fituesit veçse janë përzgjedhur paraprakisht. Prandaj ne vlerësojmë se kriteret e vendosura në këtë shpallje, janë diskriminuese dhe vetëm sa nuk janë bërë me emra fituesit potencial”, tha ai.

Të ngjashme