Politizimi – problem kryesor në sistemin shëndetësor

Prishtinë | 30 Maj 2018 | 13:23 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar tryezën “Gjendja e Shërbimit spitalor dhe klinik universitar – problemet dhe zgjidhjet”.

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, tha se Prishtina ka qenë model për funksionimin e mirë të qendrave familjare.

“Në oborrin e QKUK-së funksionon një spital privat i cili punon pa pengesa. Komuna e Prishtinës ka qenë një komunë shembull për qendrat e mjekësisë familjare”, tha ajo.

Jusuf Ulaj, drejtues i Komitetit për Shëndetësi, tha se ajo çka vërehet dhe është problematikë në rritje është se në fushën e shëndetësisë njerëzit që dinë dhe duan të japin vullnetin e tyre janë të paangazhuar, raporton Ekonomia Online.

“Njerëzit kanë humbur shpresën që diçka e mirë do të ndodhë me shëndetësi. Ne kemi ditur të organizohemi edhe në kohë të vështira që sistemin shëndetësor ta mbajmë gjallë, mirëpo tash jemi nën një situatë që prek indiferencën e profesionistëve shëndetësorë. Të gjitha këto nuk janë problemet e mjekëve, por të sistemit shëndetësor në Kosovë.

Sipas Ulajt, një nga problemet kryesore në sistemin shëndetësor është politizimi i skajshëm në shëndetësi.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë shumë pozita janë në ushtrues detyre. Është vonuar qëllimshëm mbajtja e kompetencave në Odën e Mjekëve dhe janë zgjedhur vartës të PDK-së. Gjendja aktuale në ShSUK është e rëndë dhe mund të themi se ShSUK është politike dhe joprofesionale. Po shihet që prioritet i kësaj partie është rahatia e militantëve dhe jo zgjedhja e profesionistëve”, tha ai.

Arben Grazhdani mjek, tha se problemi i mosfunksionimit të mirë qëndron te menaxhmenti.

“Unë mendoj që problemi është te menaxhmenti dhe jo te ligji. Ka të tilla probleme qe nuk besoj që ka mungesë të buxhetit që nuk mund të mbulohet. Është bërë numër i madh i mjekëve nëpër klinika. Mjeku nuk shfrytëzohet sepse nuk ka mundësi të shfrytëzohet. Nuk mendoj që duhet të ketë aq shumë mjekë nëpër klinika. Spitali i shtetit është i mirë vetëm nëse mjekët janë të mirë”.

Hatixhe Latifi-Pupovci, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë, tha se problemi kryesor është te politizimi në qendrat klinike, raporton EO.

“Të gjithë e dimë që ShSUK-ja ka bord politik. Faji për problemin e Ministrisë së Shëndetësisë qëndron te PDK-ja. Ministria e Shëndetësisë ka bërë që punësimi në Qendrën Klinike të jetë i bazuar në libreza dhe jo në merita. Përkundër faktit që kemi një numër të madh të mjekëve, pacientet na ikin në vendet e rajonit”, tha ajo.

Sami Uka, pjesmarrës në panel, tha se duhet të bëhet ndërtimi i themeleve të shëndosha të kujdesit primar.

“Është krijuar një klimë e tillë që punëtorët shëndetësorë bartin fajin për gjithçka. Po vazhdon një qasje që në thelb është e gabuar. Ilaçi i shëndetësisë kosovare është ndërtimi i themeleve të shëndosha të kujdesit primar. Problemi i sistemit shëndetësor në Kosovë është një sindromë”, tha ai.

Të ngjashme