Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka njoftuar se vendi i tij është tërhequr nga pjesëmarrja në një samit që do të mbahet gjatë ditës së nesërme në Izrael për shkak të deklaratës së ministrit të jashtëm izraelit se shumë polakë kanë bashkëpunuar me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ai tha se deklarata e ministrit izraelit është raciste dhe e papranueshme. Fillimisht, kryeministri kishte thënë se nuk do të merrte pjesë personalisht në këtë takim, por tash ka thënë se në Izrael nuk do të udhëtojë asnjë zyrtar i shtetit polak.
Mosmarrëveshja diplomatike mes Polonisë dhe Izraelit është thelluar nga e premtja e kaluar, kur mediet izraelite raportuan për deklaratën e kryeministrit të vendit, Benjamin Netanyahu, i cili ka thënë se polakët kanë pasur rol në Holokaust.
Shumë polakë po i kundërshtojnë këto deklarata. Ata po thonë se populli i tyre e ka rrezikuar jetën për t’i ndihmuar çifutët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Anulimi i pjesëmarrjes së zyrtarëve polakë në samitin e Izraelit është goditje për kryeministrin Netanyahu, i cili po synon t’i forcojë marrëdhëniet me vendet e Evropës Qendore, shkruan “Reuters”.