Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Uashingtoni do të ofrojë deri në një miliard dollarë për të financuar Evropën Lindore dhe Qendrore, që t’i ndihmojë rajonit që të shmangë varësinë nga energjia ruse.
Këto komente Pompeo i bëri gjatë fjalimit të tij në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Pompeo tha se financimi i ri i SHBA-së do të shkojë drejt iniciativës Tri Detet – një grupim i 12 shteteve të Bashkimit Evropian, që gjenden ndërmjet detit Adriatik, Baltik dhe Detit të Zi. Përveç Austrisë, të gjitha këto shtete janë anëtarë të NATO-s.
Kjo iniciativë ishte nisur për të kundërshtuar atë që disa zyrtarë perëndimorë e konsiderojnë rrezikun e varshmërisë nga furnizimi me energji ruse. Rusia është furnizuesja kryesore me gaz natyror dhe një furnizuese e madhe e naftës në Evropë.
Gjatë fjalimit të tij, Pompeo duket se iu kundërpërgjigj fjalimit të presidentit të Gjermanisë që e bëri një ditë më parë, ku sugjeroi se Rusia dhe Kina, së bashku me Shtetet e Bashkuara po shkaktoni paqëndrueshmëri globale.
“Jam i lumtur të raportoj se vdekja e Aleancës Trans-Atlantike është shumë e ekzagjeruar. Perëndimi po fiton. Këtë jemi duke e bërë së bashku”, tha Pompeo, transmeton REL.
“Perëndimi po fiton, liria dhe demokracia po fitojnë”, tha ai.
Pompeo gjithashtu tha se disa shtete ende po dëshirojnë krijimin e “perandorive”, duke përmendur aneksimin që Rusia ia bëri Krimesë më 2014, kërcënimet kibernetike nga Irani dhe praktikat ekonomike të Kinës.
Ai tha se Kina, Rusia dhe irani po përdorin sulmet kibernetike për të zgjeruar ndikimin e tyre.