Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo thotë se është e qartë se Rusia qëndron prapa sulmeve ndaj disa agjencive qeveritare amerikane, që gjithashtu kishin në shënjestër disa caqe komerciale në mbarë botën.
“Ka pasur një përpjekje të madhe për të përdorur pjesë të souftverit të palës së tretë për të ndërhyrë në sistemet e Qeverisë amerikane”, tha Pompeo për The Mark Levin Show më 18 dhjetor.
“Kjo ishte një përpjekje e konsiderueshme dhe mendoj se tani mund ta themi qartë se rusët ishin të përfshirë në këto aktivitete”, shtoi ai.
Deri më tani, administrata amerikane nuk kishte thënë se kush qëndronte prapa sulmit kibernetik dhe presidenti amerikan, Donald Trump ende nuk ka folur publikisht për këtë gjë.
Kompania Microsoft tha se është njoftuar nga më shumë se 40 konsumatorë që u goditën nga kzy sulm, që sipas ekspertëve mund të lejojnë sulmuesit që të kenë qasje në informacione të ndjeshme të qeverisë dhe në rrjete që operojnë infrastrukturë të tillë, siç janë rrjetet e energjisë elektrike.
Pothuajse 80 për qind e konsumatorëve të prekur janë me seli në Shtetet e Bashkuara, tha presidenti i Microsoft, Brad Smith në një shkrim. Kompanitë e tjera të tjera të prekura nga ky sulm kibernetik janë në Belgjikë, Britani, Kanada, Izrael, Meksikë, Spanjë dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Ky nuk është ‘spiunim’ si zakonisht, edhe për kohën moderne. Por, prezanton një akt të pamaturisë që krijoi një cenueshmëri serioze teknologjike për Shtetet e Bashkuara dhe për botën”, tha Smith, duke shtuar se numri i viktimave të prekura nga ky sulm do të vazhdojë të rritet.
James Lewis, zëvendëspresident në Qendrën për Strategji dhe Studime Ndërkombëtare tha se sulmi mund të shndërrohet në sulmin më të rëndë që ka goditur Shtetet e Bashkuara, duke eklipsuar edhe sulm të dyshuar kinez që ndodhi më 2014.
“Shkalla (e sulmit) është tronditëse. Ne nuk e dimë se çfarë (informacioni) është marrë dhe kjo është tani punë e forenzikës”, tha Lewis, sipas agjencisë AFP.
Sulmi kibernetik fillimisht ishte raportuar më 13 dhjetor dhe mediat cituan zyrtarë amerikanë të thonë se hakerët në Rusi janë të dyshuar për këtë sulm.
Ambasada ruse në SHBA ka mohuar çdo përfshirje dhe përmes një deklarate për media më 14 dhjetor tha se Rusia “nuk kryen operacione sulmuese në fushën kibernetike”.
Departamenti për Siguri Kombëtare, Departamenti i Thesarit dhe ai i Tregtisë i SHBA-së ishin në mesin e të prekurve nga sulmi, raportuan mediat, të cilat cituan zyrtarë të paidentifikuar që kishin njohuri për këtë sulm kibernetik.