Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, takoi në Ankara presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Mevlut Cavusoglu, për të diskutuar rastin e gazetarit saudit, që është zhdukur në Stamboll.
Jamal Khashoggi, kritik i udhëheqjes saudite, nuk është parë prejse ka hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor, për të rregulluar disa dokumente.
Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë nga agjentët sauditë, por Riadi e mohon këtë.
Pompeo, i cili shkoi në Turqi nga Arabia Saudite, mbajti dy takime të ndara me Cavusoglun dhe Erdoganin.
Cavusoglu nuk dha detaje për takimet, por i përshkroi ato si “të dobishme” dhe “të frytshme”.
Pompeo nuk iu adresua gazetarëve, por Departamenti amerikan i Shtetit tha përmes një deklarate se ai e ofroi mbështetjen e SHBA-së në hetimet që po bën Turqia rreth zhdukjes së Khashoggit.
Të martën, Pompeo takoi në Riad mbretin e Arabisë Saudite, Salman, dhe princin e kurorës, Muhammad, i cili ka qenë një nga shënjestrat kryesore të kritiave të Khashoggit.
Pompeo tha se ka theksuar se sa e rëndësishme është që autoritetet saudite të kryejnë hetime të plota të rastit dhe se ato janë zotuar se do të bëjnë një gjë të tillë.