Kishte parashikime që Irani do të përfundojë i fundit në grupin B. Por para ndeshjeve të fundit në grup, mundësia që Irani të përfundojë i pari, ekziston. Të paktën për të kaluar grupin për herë të parë në histori, Irani e ka fatin e vet në dorë.
Një fitore eventuale ndaj Portugalisë do të garantonte kualifikimin për Iranin. Nëse Irani fiton dhe Spanja dështon të fitojë në ndeshjen tjetër në grup, iranianët do të kalonin në fazën nokaut si fitues të grupit, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. Për Portugalinë, barazimi është i mjaftueshëm për të kaluar në një të tetën e finales.
Si e katërta në ranglistën botërore dhe si kampione në fuqi e Evropës, Portugalia e nis ndeshjen si favorite.
Por Irani e ka një “armë të fshehtë” në këndin e vet. Përzgjedhësi i Iranit, Carlos Queiroz, ka pasur dy periudha në krye të Portugalisë, duke përfshirë edhe botërorin e vitit 2010. Portugezi Queiroz mund të përdorë ndonjë njohuri që ka për Portugalinë, në llogari të punëdhënësit të tij të dikurshëm.