Pos me pandeminë, Kosova ka telashe edhe me formën e disa lojtarëve

Prishtinë | 31 Gus 2020 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të grumbullohet të hënën në Prishtinë për dy ndeshjet e para të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve. Por nuk dihet se cilët lojtarë do të jenë pjesë e Kosovës për ndeshjen e 3 shtatorit kundër Moldavisë në Parma të Italisë dhe atë të 6 shtatorit në “Fadil Vokrri” kundër ish-kampiones së Evropës, Greqisë. Shkaku i pandemisë shumë lojtarë mund të kenë probleme me karantinim pas kthimit në shtetet evropiane ku ata luajnë.

Telashe tjetër e përzgjedhësit Bernard Challandes dhe stafit të tij është forma jo e mirë e disa lojtarëve. Disa prej tyre nuk luajnë, disa nuk e dinë se ku do të paraqiten në edicionin e ri . Në fakt, disa veçse kanë nisur të luajnë ndeshjet e para e shumë prej tyre vetëm ndeshje miqësore.

Problemi më i madh te Kosova mbetet porta. Arijanet Muriq e ka zhvilluar ndeshjen e fundit në shtator të vitit të kaluar sa ishte pjesë e Nottingham Forestit. Ai nuk e di se ku do ta vazhdojë karrierën, derisa edhe portieri i dytë, Samir Ujkani, ka pak minutazhë në dy vjetët e fundit. Ujkani vetëm në ndeshjen e parafundit të edicionit 2019/2020 debutoi për Torinon, pas një kohe të gjatë pa luajtur. Si Muriq ashtu edhe Ujkani më shumë luajnë për Kosovën se për klubet e tyre.

Reparti i mbrojtjes është goxha i konsoliduar. Futbollistët e mbrojtjes kanë luajtur rregullisht në klubet e tyre dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Fidan Aliti luajti të dielën për Kalmarin në barazimin 3:3 kundër Hammarby në Suedi. Aliti është duke luajtur rregullisht, derisa në disa ndeshje e ka mbajtur shiritin e kapitenit.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, të shtunën ka debutuar me fanellën e Napolit në një miqësore. Rrahmani ka qenë në formë të mirë te Verona edicionin e kaluar dhe me kalimin te Napoli ka bërë hap gjigant në karrierë.

Debutim të suksesshëm te Torino ka bërë mbrojtësi i krahut të djathtë, Mërgim Vojvoda. Torino e fitoi miqësoren me rezultatin 4:1, derisa Vojvoda luajti në pjesën e dytë. Para se t’i bashkohej Torinos, ai luajti tri ndeshjet e para të edicionit të ri në Belgjikë, te Standardi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme