Posta e Kosovës ofron shërbimin e-Commerce

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 13:53 | Nga

Posta e Kosovës do të ofrojë edhe një shërbim të ri që ju mundëson të gjithë qytetarëve por edhe bizneseve të blejnë dhe të shesin mallra online.

Platforma e shërbimit e-commerce, për ndërtimin e të cilit është punuar shumë nga ekspertë të Postës së Kosovës dhe të Postës Turke do të lansohet për shfrytëzim pas një testi njëjavor.

Ky projekt është realizuar duke ju falënderuar mbështetjes nga Posta Turke me të cilën Posta e Kosovës ka një bashkëpunim të ngushtë.

Marrëveshja që finalizon këtë platformë është nënshkruar sot në Ankara nga Kryeshefi Ekzekutiv, Sejdi Hoxha si dhe Drejtori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Postës Turke (PTT), Kenan Bozgeyik.

Marrëveshjen e ka nënshkruar edhe ministri i Qeverisë Turke për Transport, Çështje Detare dhe Komunikim, Ahmet Arslan.

Ai ka përgëzuar të dy drejtorët për këtë projekt dhe i ka inkurajuar që të zgjerojnë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera të interesit të ndërsjellë.

Kryeshefi Hoxha është shprehur i kënaqur që janë tejkaluar të gjitha sfidat teknike për lansimin e këtij shërbimi. Ai ka theksuar se përveç qytetarëve nga kjo platformë do të përfitojnë edhe bizneset dhe prodhuesit kosovarë sepse mund t’i ofrojnë mallrat e tyre për shitje online.

“Ky është vetëm fillimi i zhvillimit të shërbimit e-commerce nga ana e Postës së Kosovës. Ne do të ofrojmë edhe produkte dhe risi tjera në këtë fushë”, ka deklaruar Hoxha.

Të gjithë të interesuarit mund ta shfrytëzojnë këtë platformë në domenin postamall.com, që së shpejti do të vendoset në faqen zyrtare të Postës në internet.

Të gjitha produktet që blihen përmes këtij shërbimi, Posta e Kosovës do t’i transportojë në kohën më të shkurtër në adresën e përcaktuar nga konsumatori.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme