Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri të pullave postare kushtuar periudhës së artë të muzikës pop-rok në Kosovë gjatë viteve të ’80-ta, për të nderuar grupet dhe artistët që kanë kontribuar në formimin e skenës muzikore të asaj periudhe.
“Gjatë viteve të ’80-ta, në Kosovë u formuan disa grupe muzikore të njohura, si: “Gjurmët”, “Ilirët”, “403”, “Telex”, “Minatori”, “Fisnikët”, “Seleksioni 039”, “Menkis” dhe “Babilon”. Këto grupe krijuan këngë që vazhdojnë të jenë të dashura për publikun. Disa prej tyre përmes këngës kanë shprehur revoltin ndaj gjendjes sociale, censurës dhe situatës politike të kohës”.
“Përveç ritmeve të muzikës folklorike dhe këngës së vjetër qytetare që ishin frymëzim për këto grupe, periudha e viteve të ’80-ta është e njohur edhe për baladat e paharrueshme të muzikës rok. Këto ritme dhe ndikime kanë kontribuar në krijimin e një trashëgimie të pasur muzikore në rajon”, thuhet në një njoftim të postës.
Më tej, posta thekson në njoftim se është e nderuar të përjetësojë këtë periudhë të artë të pop-rokut kosovar me imazhin e dy pullave postare, duke ofruar edhe një mundësi të shkëlqyer për koleksionistët, bizneset dhe adhuruesit e muzikës për të ruajtur këtë trashëgimi të çmuar.