Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, ku ka sqaruar situatën në të cilën ndodhet Posta dhe punëtorët e saj.
“Ka qenë një komunikatë se në rast se nuk kryhet shërbimi universal postar nga Qeveria, si e drejtë e garantuar me ligj, ne do të vijmë në një situatë që mos të bëjmë ekzekutimin e pagave të punonjësve tanë”.
Ai ka thënë se për shkak që kanë qenë të detyruar ta mbulojnë këtë shërbim, kanë ardhur deri te kjo situatë, raporton EO.
“Si pasojë që nuk është mbulu ky shërbim, ne jemi obligu që ta kërkojmë këtë edhe në rrugë ligjore dhe e kemi dërgu tek përmbaruesi privat, i cili ka marrë vendim dhe ka obligu Qeverinë me mbulu humbjen nga shpenzimet e shërbimimit universal postar. Pas kësaj, çështja ka shku edhe në Gjykatën Themelore, e cila ka marrë vendim dhe i ka dhënë të drejtë Postës së Kosovës, që Qeveria të bëjë mbulimin e shërbimit universal postar. Qeveria ka kërku edhe një letërkonfirmim, ka qenë i vetmi që ka kërku për shërbim postar”.
“Borxhi aktual është diku 5 milionë euro. Ne i kemi shpenzu këto mjete, nga të hyrat vetanake, nga buxheti vetanak i Postës, ne i kemi shpenzu këto për ta ofru shërbimin universal postar, ndërsa qeveria nuk e ka kryer obligimin e vet ligjorë që me e mbulu humbjen që është krijuar. I gjithë dokumentacioni relevant është plotësu dhe ka shku në Qeveri dhe tani jemi në pritje që Qeveria të reflektojë”.
Hoxha ritheksoi kërkesën për pagesën e punëtorëve. Ai shtoi se paga është e garantuar me ligj, raporton EO.
“Të paguhen punëtorët, të mos kemi bllokada në bërjen e punëve në formë normale, sepse çdo situatë e tillë e krijon një imazh jo të mirë për ndërmarrjen dhe natyrisht e dëmton afarizmin tonë për të ardhmen, sepse kemi krijuar qindra shërbime të reja postare”.
“Paga është e garantuar me ligj. Është e drejtë themelore e çdo individi. Kemi bërë thirrje që kjo çështje të kryhet, por fatkeqësisë është vonu”.
Hoxha ka thënë se Posta është ndërmarrja e vetme që ka plan konkret si të dalë nga kriza, ndërsa ka treguar se shërbimet e kryera deri më tash kanë qenë në kundërshtim me ligjin.
“Faturat e shërbimeve të energjisë elektrike, të ujit dhe të mbeturinave shpërndahen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 36, janë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
Ai ka thënë se problemi është se nuk po u paguhet borxhi.
“Kostoja totale prej të cilës Posta po privohet nga e drejta për ta kryer këtë punë, është 450 mijë euro në muaj, në rast se Posta e kryen këtë shërbim. Por Posta po privohet ta kryejë këtë shërbim postar. Kjo e drejtë me ligj i takon Postës së Kosovës”.
Hoxha ka thënë se një problem tjetër është Rregullorja e Bankës Qendrore, që ia dërgon çdo konsumatori gjendjen financiare, madje për të e rrezikshme fakti që ato dërgohen në telefon.
“Kemi kërkuar që shërbimet e tilla t’i kryejë Posta. Paramendoni sa e rrezikshme është nëse atë numër telefoni e shfrytëzon dikush tjetër”.
“Nëse Postës i lejohet zbatimi i ligjit, marrim përgjegjësi që nuk ka probleme as në afarizëm dhe do ketë zhvillim në ditët e ardhshme”.
Problem tjetër i paraqitur nga ai, është edhe vonesa e pagesave nga Telekomi, i cili ka detyrim për zyrat që zë në ambientet e Postës dhe valët që shpërndanë me pagesë.
Ai ka thënë se komunikimi me Qeverinë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik është përcjellë te Ministria e Financave për ta parë gjendjen.