Shoqata e Odave Ekonomike vlerëson se shërbimi postar në vend nuk është në nivelin e duhur.
Ata kërkojnë liberalizim të tregut postar, pasi vetëm operatori nacional “Posta e Maqedonisë” nuk mund të përballojë të gjithë ngarkesën aktuale.
OEM vlerëson se me heqjen e monopolit të “Postës së Maqedonisë” për dërgesa deri në 50 gramë, ku përfshihen letra, urime dhe fatura të shërbimeve, shërbimi postar në vend do të ofrojë shërbime më të shpejta dhe më të mira postare.
“Me liberalizim të tregut dhe pjesëmarrje të më shumë kompanive në tregun e lirë, krijohet mundësi për shërbime më të sigurta dhe më cilësore për të gjithë klientët. Të gjitha dërgesat që vijnë nga jashtë shkojnë nëpërmjet “Postës së Maqedonisë” dhe me sa kemi informacion, çdoherë ka vonesa. Duhet liberalizim i tregut, unë nuk them se “Posta e Maqedonisë” ka shërbime të këqija, por pjesëmarrja e më shumë kompanive në tregun e përbashkët krijon mundësi për shërbime më kualitative”,- tha nënkryetari i Shoqatës së Odave Ekonomike, Aleksandar Milloshevski.
Të dhënat e Odës Ekonomike tregojnë se në vitin 2016-2017 ka pasur 4475 ankesa për operatorin nacional dhe vetëm 322 ankesa për operatorët privatë. Shumica e ankesave kanë të bëjnë me mosdorëzimin në kohë të dërgesave.