Analisti Xhevdet Pozhari, ka reaguar edhe një herë tjetër në lidhje me kritikat e shumta që mori pas një statusi kontravers që bëri në profilin e tij në Facebook, në lidhje me vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj.
Gjatë ditës, Pozhari bëri një shkrim në lidhje me vrasjen tragjike që tronditi vendin, ku tha se përveç edukimit të djemve është me rëndësi që edhe vajzave t’u rikujtohet se ‘’ nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë’’.
E për këtë mori shumë reagime e kritika nga komentuesit e shumtë të cilët thanë se në këtë rast nuk duhej të arsyetohej dorasi, por viktima e cila ka pësuar tragjikisht.
Më pas nga organizata ‘QIKA’ u kërkua që Pozhari as mos të jetë pjesë e paneleve si analist, duke nxitur kështu edhe një tjetër reagim nga Pozhari që tha se ‘’ Unë kam thënë atë që kam shkruajtur, e jo atë që doni ta lexoni ju!
Fillimisht, mësohuni ta lexoni atë që është shkruajtur, e jo atë që ju mendoni se është thënë.’’
E tani Pozhari ka kaluar nga statuset e tij në ato të kryeministrit Kurti, për të cilin ka shprehur vazhdimisht përkrahjen.
Ai ka shpërndarë statusin e Kurtit në lidhje me po këtë ngjarje, derisa përmbi të ka shkruar ‘’ Nga i dituri si Albini dëgjon urtësi, nga budallenjt dëgjon budallaki.’’